“Unë besoj se sfida me Konor do të bëhet”, u shpreh në një intervistë televizive Toni Ferguson, kampioni i përkohshëm i peshës së lehtë në artet marciale mikse. “Nëse Dana Uajt ka thënë se synon të zhvillojë këtë sfidë, atëherë ne duhet ta pranojmë këtë këshillë. Edhe Konor. Kjo është edhe më e drejtë. Asnjë nuk dëshiron të dëgjojë gënjeshtra”, shtoi më tej Ferguson, që mëngjesin e të dielës fitoi me “submission” ndaj Kevin Lee. Ndryshe, presidenti i UFC-së, Dana Uajt deklaroi se sfida e radhës e MekGregor do të jetë në kafaz, për të mbrojtur titullin kampion dhe se përballja ndaj Ferguson është duel që ka më shumë sens në këto momente për irlandezin. “Konor duhet të mbrojë titullin kampion”, tha Dana Uajt, që hodhi poshtë idenë e triologjisë mes irlandezit dhe Nate Diaz. Më tej, Ferguson tha: “MekGregor duhet ta mbrojë herët e vonë atë tillë për herë të parë në karrierë dhe këtë gjë duhet ta bëjë ndaj meje. Unë do t’ia heq atë buzëqeshje nga fytyra. Ai nuk e ka mbrojtur asnjëherë atë titull, ndaj të gjithë e dinë se një kampion duhet të mbetet i tillë nëse e mbron atë, por ai nuk e ka bërë asnjëherë këtë, sepse ka frikë”, u shpreh sportisti amerikan i arteve marciale mikse. “Ne jemi të gjithë profesionistë dhe duhet të respektojmë rregullat”, tha Ferguson, që synon të duelojë ndaj irlandezit më 30 dhjetor, në UFC-219, ose në muajt e parë të 2018-ës. Ende nuk ka asnjë reagim nga MekGregor, që më 26 gusht debutoi me humbje në boks, kur u mund nga Flojd Mejveder.