Manchester United nuk ka nënshkruar me Ziendine Zidane, sepse Alex Ferguson nuk donte të mërziste Eric Cantona. Kjo është ajo që ka bërë të ditur ish-drejtuesi i United Martin Edwards. Zidane u transferua nga Bordeaux tek Juventus për 3 milionë sterlina në 1996-ës para se të kalonte te Real Madrid për një shifër rekord në 2001-in. por karriera e një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave mund të kishte qenë shumë e ndryshme, nëse United nuk do të kishte hezituar.
“Djajtë e Kuq” ishin të interesuar për francezin, 24 vjeç në atë kohë, para se ai të vendoste të transferohej në Itali. Gjithsesi, Fergie vendosi se “Zizu” nuk do të arrinte të përshtatej me yllin e ekipit në atë kohë, Eric Cantona. Duke folur për “BBC”, Edwards tha: “Zidane dhe Eric luanin në të njëjtin pozicion dhe Alex mendonte se blerja e tij do të mërziste Cantona. Duke menduar atë që ndodhi më pas, me Eric që u tërhoq një vit më vonë, është një peng”.
Trajneri aktual i Real Madrid fitoi dy kampionte me Juventus dhe udhëhoqi Francën drejt Kupës së Botës në 1998-ën dhe Euro 2000. Ai fitoi La Liga-n dhe Champions League me Real Madrid. Tani, si trajner i “Los Blancos”, ai ka fituar një kampionat, Kupën e Mbretit dhe dy Champions radhazi.