Shkup, 21 shtator – Ish prokurorja speciale publike Katica Janeva, e cila është shkarkuar nga funksioni dhe është në paraburgim si e dyshuar në rastin “Reket”, të martën përsëri do të dëshmojë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Këtë e paralajmëroi avokatja e saj Irena Danaillova-Fërçkoska në intervistë për “360 shkallë” në TV Alsat.
“Përsëri është thirr. Të martën do të dëshmojë”, tha Fërçkoska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Sipas Fërçkoskës, ishte pritur që Janeva të shkarkohet nga funksioni i prokurorit special publike, por është diskutabil vendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë për shkarkimin e saj nga funksioni i prokurorit publik në Gjevgjeli.
“Vlerësoj se ai vendim i Këshillit të Prokurorëve Publikë është kontestues dhe supozoj se do të jetë lëndë e ndonjë ankese”, tha Fërçkoska.
Në lidhje me atë se a duhej që të jetë prezent notar gjatë nënshkrimit të shkresave të cilat Janeva i dërgoi nga burgu i Shutkës, Fërçkoska thotë se nuk është e domosdoshme që të jetë i pranishëm notar e as që e kërkon këtë ligji.
Në lidhje me reagimet të cilat erdhën pas deklaratës së para pak kohësh të kryeministrit Zoran Zaev në të cilën ai përmend se ka biseduar me Fërçkoskën, ajo demanton se bëhet fjalë për çfarëdo lloj koordinimi të Janevës me kryeministrin përmes saj.
E pyetur se a ka dëshmi për përfshirje të Janevës në rastin “Reket”, Fërçkoska thotë se i ishin prezantuar dëshmi selektive dhe se prej asaj që e ka parë nuk del kurrfarë përfshirjeje ose indikacione të ekzistimit të dyshimit se Janeva e ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Për incizimet në të cilat dëgjohet se si Janeva komunikon me persona të dyshuar e cila është lëndë e PSP-së, Fërçkoska thotë se ato biseda i interpretojnë në drejtim të deklaratës së Janevës se është bërë fjalë për bashkëpunim eventual si dëshmitar në procedurë tjetër.
Sipas Fërçkoskës, do të duhet të shihet se a do të mund të përdoren këto incizime si dëshmi në procedurën penale sepse ato nuk mund të identifikohen me incizimet të cilat i përdor PSP-ja në procedurat. (koha.mk)