Në verën e vitit 2014, Beg Ferati u sëmurë nga mononukleoza. Ai në këtë kohë ishte shef në mbrojtjen e Sionit, tek e cila skuadër kishte kaluar pas një aventure jo të suksesshme në Bundesligë me Freiburgun. Sëmundja mund të kalohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga personi. Tenisti i famshëm zviceran Roger Federer ishte viktimë e saj, por ai ishte plogështuar vetëm disa javë, dhe arriti të kthejë forcën e plotë, shkruan “Blick”. Robin Soderling, tenisti suedez që kishte luajtur me Federerin në finale të “Roland Garrosit” në vitin 2009, vuajti dy vjet në mënyrë të vazhdueshme nga plogështia, dhe nuk arriti të bëjë rikthimin, me gjithë shumë tentime. Kështu mund të vlerësohet edhe rasti me Feratin, mbrojtësin 30-vjeçar. Në fillim të vitit 2015, presidenti i Sionit, Christian Constantin i ofroi futbollistit të lindur në Prishtinë një kontratë të re deri në vitin 2018, një gjest bujar, pasi në atë kohë ende nuk dihej nëse Ferati do të kthehej plotësisht në forcat e veta.