Shkup, 23 shtator – Ekrani është një term që trajneri Daja ka shumë qejf ta përmendë dhe e quan të rëndësishëm për skuadrën që ai drejton. Për ta bërë më të thjeshtë për sportdashësit, “ekrani” nënkupton lojtarin tipik me numrin gjashtë, ose thënë ndryshe futbollisti që pozicionohet para mbrojtjes dhe që nga këmbët e tij nis organizimi i fazës sulmuese të skuadrës.
Dhe puna eksperimentale e trajnerit Daja po shkon drejt fundit dhe shkupjani Besnik Ferati pritet të jetë “ekrani” i ri i Partizanit, nisur kjo edhe nga ndeshjet miqësore ku ai është aktivizuar më së shumti. Ky rol ka shumë peshë dhe përgjegjësi, pasi bëhet fjalë për regjisorin e skuadrës. Ilir Daja ka treguar se di të besojë dhe të promovojë elementin me moshë të re. E njëjta gjë do të ndodhë edhe te Partizani, ku regjinë e skuadrës pritet t’ia besojë 20-vjeçarit Besnik Ferati.
Për mesfushorin nga Shkupi ky është sezoni i tretë me “demat”, por tani mendohet të ketë një përgjegjësi më të madhe, pasi shikohet si “truri” i lojës së 16 herë kampionëve të vendit. Partizani e afroi Feratin para dy vitesh nga të rinjtë e Shkupit, i cili ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave të Maqedonisë së Veriut. Pikërisht për këtë rol që do të bëjë tani u afrua Ferati dhe në sezonin e fundit është provuar në ndonjë rast si “ekran”, por është përdorur edhe në role të tjera, kryesisht si mbrojtës i djathtë apo në qendër.
Me besimin e trajnerit Daja, Partizani pritet që të promovojë një tjetër të ri me perspektivë. Me skemën 4-2-3-1 Ferati do të ketë pranë Brojën, i cili të njëjtën detyrë ka bërë edhe kur ishte Telushi.