Femrat më shumë joshin partitë politike

28

Disa të reja nga Dibra thonë se qytetit i duhet një organizatë e grave por pa ndikime politike. Sipas tyre aktualisht të gjithë degët e partive politike që veprojnë në Dibër kanë organizata e grave por Dibra nuk ka një shoqatë qytetare të grave e cila do të mund të ndikojë dhe të mbrojë interesat e femrës në komunë

Vjollca SADIKU

Dibër, 14 shtator – Organizimi i gruas shqiptare në fillim të pluralizmit në Dibër ishte i fuqishëm. U themelua organizata e gruas shqiptare e cila pati një ndikim të madh si në jetën politike ashtu edhe në jetën shoqërore. Pas disa viteve aktivitete të pritshme kjo organizatë u shua dhe për fat të keq tanimë vite me radhë Dibra nuk ka një shoqatë të këtillë. Veprojnë shoqata të grupeve të grave për sfera të caktuara por të cilat nuk kanë ndonjë karakter masiv të gruas shqiptare. Edhe pse ka pasur tentime për një organizim të ri masovik të femrave intelektuale deri tani këto iniciativa kanë ngelur vetëm në dëshirë. Disa të reja nga Dibra thonë se qytetit i duhet një organizatë e grave por pa ndikime politike. Sipas tyre aktualisht të gjithë degët e partive politike që veprojnë në Dibër kanë organizata e grave por Dibra nuk ka një shoqatë qytetare të grave e cila do të mund të ndikojë dhe të mbrojë interesat e femrës në komunë.

Aktivistja dibrane Arbëresha Klenja e cila është pjesë e udhëheqësi në ndërmarrjen komunale “Standadi”, thotë se qyteti ka nevojë për një shoqatë të gruas shqiptare. Ajo shoqatë duhet të jetë apolitike dhe të punojë në interes të të gjithë femrave shqiptare në komunë. “Politizimi i shoqatave të grave e humb besueshmërinë. Prandaj Dibrës i duhet një shoqatë e fuqishme pa ndikime politike. Duhet që të themelohet një shoqatë me elementet të cilët i theksova”, thotë Klenja. Po të njëjtin mendim ka edhe profesoresha në shkollën e mesme komunale të Dibrës “28 Nëntori” Dashamire Spahiu. Ajo thotë se një shoqatë e fermës dibrane duhet të jetë aktive në këtë komunë. “Një pjesë e femrave në Dibër janë aktiviste në partitë politike. Ata e kanë vendin e vet edhe në politikë por patjetër duhet të funksionojë dhe një shoqatë apolitike por e fuqishme dhe masive për të zgjidhur shumë probleme që ka femra dibrane. Vite më parë ka pasur një shoqatë të këtillë, por sot është nevoja që të themelohet një shoqatë e gruas shqiptare. Mund të përfitojmë shumë projekte me një shoqatë të këtillë që do t’i mbroj interesat e të gjithë femrave shqiptare të cilat janë të angazhuar në sfera të ndryshme. Këtu do të trajtohen edhe probleme të ndryshme me të cilat ballafaqohet edhe femra që nuk është në punë”, shprehet Dashamire Spahiu.

Deri sa iniciativat e femrave tani për tani nuk kanë ardhur në situatë që të regjistrohet një shoqatë mbar shqiptare në Dibër, qëndron fakti se në të gjithë degët e partive politike që veprojnë në Dibër ka edhe forume të grave. Disa aktiviste që janë të angazhuara në degët të partive politike, thonë se interesi i femrës dibrane nga viti në vit rritet për pjesëmarrje në politikë. Kryesisht interesi është për punësim më të lehtë që sot e sjell vetëm angazhimi politik. Por, kur jemi tek nevoja për të themeluar një shoqatë mbarë dibrane edhe femrat e angazhuara në politik thonë se është mirë që të ketë edhe një shoqatë qytetare të grave. Duke marr parasysh faktin se Dibra ka shumë femra intelektuale, kjo do të thotë se kuadrot edhe në sektorin civil nuk mungojnë. (koha.mk)