Pothuajse çdo vit ka tendencë dhe lëvizje që në disa institucione të vendosen në vendet udhëheqëse femra, megjithëse në momentet e fundit të vendimeve – përsëri burrave u jepet fuqia për sjelljen e vendimeve
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 shkurt – Edhe pse Dibra që moti ka tejkaluar tabutë tradicionale të barazisë gjinore, megjithatë në jetën politike shoqërore dhe ekonomike, femrat vazhdojnë të margjinalizohen kur është janë në pyetje funksionet udhëheqëse. Sot, në Dibër ka vetëm një femër në pozitë udhëheqëse, edhe pse të dhënat flasin se kuadro të shumta të femrave të pranishme në të gjitha institucionet, por në nivele të ulëta. Problemi në fjalë zvarritet vite me rrallë. Pothuajse çdo vit ka tendencë dhe lëvizje që në disa institucione të vendosen në vendet udhëheqëse femra, megjithëse në momentet e fundit të vendimeve – përsëri burrave u jepet fuqia për sjelljen e vendimeve. Ajrie Daçi është drejtoresha e vetme në një institucion në këtë komunë. Daçi me shumë suksese është duke e udhëhequr çerdhen “Breshia” dhe është një ndër drejtoreshat më të suksesshme në këtë sferë në nivel shteti. Së bashku me koleget tjera, në çerdhen në fjalë Daçi arriti viteve të fundit të bëj të mundshme pjesëmarrjen në një projekt ndërkombëtar si përfaqësuese e vetme e Maqedonisë së Veriut.
“Është e qartë se Dibra ka shumë kuadro femrash, të cilat meritojnë poste udhëheqëse. Këto ferma, përveç përfundimit të shkollimit superior, njohin edhe gjuhët e huaja dhe me sukses mund të udhëheqin institucionet. Megjithatë, aktualisht vetëm unë jam udhëheqëse në një institucion, ndërsa ka edhe shumë femra në institucione të tjera që meritojnë funksione udhëheqëse”, thotë për KOHA, Daçi. Sa i takon prezencës së femrës në jetën politike, situata është pak më mirë. Në Këshilli e Komunës së Dibrës, pesë nga 15 këshilltarë janë femra. Këshilltarja e Alternativës në Këshillin komunal, Doruntina Cami Ame, thotë se në Dibër ka nevojë që zëri i femrës të jetë më i fuqishëm. Femra shqiptare, thotë ajo, pa probleme mund të realizojë me përgjegjësi të plotë udhëheqjen e posteve të ndryshme. Por sipas saj, edhe pse ka shumë kuadro të femrave , ata duhet të jenë më prezent si në jetën shoqërore, ekonomike – ashtu edhe politike.
“Besoj se nëse i bëhet një vështrim prezencës së femrës në shoqatat qytetare dhe ato politike, ka nevojë që ato të jenë më prezente. Për fat të keq, në vende udhëheqëse në institucionet dibrane qofshin ata me karakter lokal apo qendror, prezenca e tyre është minimale. Është fat se në Këshillim e Komunës është rritur përqindja e gruas dibrane. Por, femrat meritojnë më shumë në të gjithë sferat e jetës”, thotë Cami. Të dhënat zyrtare për Komunën e Dibrës tregojnë se në studime ka më shumë femra dibrane se sa meshkuj. Familjet dibrane asnjëherë nuk e trajtojnë femrën të dorës së dytë, kur është në pyetje emancipimi dhe shkollimi i saj. Ky fakt tregon se femra dibrane më parë, por edhe sot – me sukses realizon aktivitetet e saja familjare, por edhe është prezent në jetën intelektuale të qytetit. Dibra sot ka shumë ferma, të cilat me sukses vazhdojnë karrierën dhe krijimtarinë e tyre si juriste, ekonomiste, në sferën e medicinës, mësimdhënëse, por kemi edhe poetesha, artiste, sportiste e tjerë. Veterania e arsimit, Sevdije Vojnika, e cila tërë jetën ja kushtoi edukimit dhe mësimit të shumë gjeneratave në shkollat fillore të Dibrës, thotë se roli i femrës dibrane gjatë historisë, por edhe sot ka qenë shumë i madh, megjithatë sot duhet menduar që të njëjtave t’i gjendet më shumë vend në pozitat udhqëheqëse si në njësitë e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë qendror. (koha.mk)