Sa i takon sferës së shëndetësisë, të dhënat e Spitalit të Përgjithshëm thonë se nga gjithsej 200 të punësuar, 130 janë femra, kurse 70 meshkuj. Drejtori Baki Alili thotë se femrat në këtë institucion shëndetësor në Dibër janë mjeke, infermiere, por janë prezente edhe në administratën e Spitalit. E njëjta situatë është edhe në shkollat fillore dhe ato të mesme në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 korrik – Emancipimi i femrës dibrane është i njohur. Ata janë prezent pothuajse në të gjitha institucionet, por njëkohësisht dominimi i tyre është në sferën e arsimit dhe shëndetësisë. Po ashtu është për tu theksuar edhe fakti se pjesa dërmuese e studentëve dibran janë femra.
Në sferën e arsimit, sipas të dhënave të institucioneve arsimore në Dibër, dominojnë femrat. Sipas drejtoreshës të çerdhes “Breshia” në Dibër, Ajrie Daçi, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve prej 75, 69 janë femra. Në këtë institucion dominimi i femrave, sipas drejtorisë së çerdhes, është drejtpërdrejt e lidhur me moshën e fëmijëve të cilët janë prezent në këtë institucion parashkollor. Në shkollën fillore “Penestia” në Dibër, sipas drejtorit Ajet Mullarexha, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve prej 126, 70 për qind i takojnë gjinisë femërore. Femrat në këtë institucion arsimor janë kryesisht në sferën e arsimit, por prezent janë edhe në administratën e shkollës. Sipas Mullarexhës, në Dibër dekadat e fundit pjesa më e madhe e femrave gjatë studimeve përzgjedhin fakultetet që kanë të bëjnë me arsimin. E ngjashme është situata edhe në shkollën fillore “Said Najdeni” ku dominojnë femrat, por njëkohësisht ashtu është edhe në shkollën e mesme “28 Nëntori”.
Sa i takon sferës së shëndetësisë, të dhënat e Spitalit të Përgjithshëm thonë se nga gjithsej 200 të punësuar, 130 janë femra, kurse 70 meshkuj. Drejtori Baki Alili thotë se femrat në këtë institucion shëndetësor në Dibër janë mjeke, infermiere, por janë prezente edhe në administratën e Spitalit. Po sipas tij, dominimi i femrave në shëndetësi është dekada me radhë. Kur jemi tek sfera e shëndetësisë, femrat janë më në numër edhe në ordinancat e mjekëve amë, si mjeke edhe infermiere, por edhe në stafin shëndetësor të Banjave të Dibrës – Capa. Duhet theksuar edhe të dhënat të të punësuarve në call-qendrat që funksionojnë në Dibër. Mbi 70 për qind e të punësuarve janë femra, të cilat shumë bukur e flasin gjuhën angleze dhe me dinjitet realizojnë detyrat e tyre të përditshme.
Duke marrë parasysh se familjet dibrane në përgjithësi nuk bëjnë krahasim mes meshkujve dhe femrave në familjet e tyre kur është në pyetje shkollimi, vlen të theksohet edhe fakti se dekadën e fundit në studime pjesa më e madhe e dibranëve janë femra. Ata përzgjedhin pothuajse të gjithë fakultetet, por dominojnë në shkencat shoqërore, shkencat e shëndetësisë dhe kohëve të fundit edhe në IT Teknologji, biznes dhe shkenca ekonomike dhe juridike. Nëse bëhet një analizë më konkrete, si më parë edhe sot femra dibrane vazhdon të jetë më prezente në fakultete ku studiohen shkencat e medicinës dhe arsimit.
Por, edhe përkundrejt faktit se femrat në përgjithësi kanë shkollim adekuat dhe janë prezent në të gjithë poret e jetës, qëndron fakti se ata janë të pakta në vendet udhëheqëse. (koha.mk)