Rrjeti i organizatave për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, në raportin e fundit ka ngritur shqetësimet për mbrojtjen e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë.
Sipas këtij raporti Kosova ka shënuar rezultate nën mesataren në mbrojtjen dhe riintegrimin adekuat për këta fëmijë.
“Kosova nuk ofron shërbime të veçanta të rehabilitimit fizik dhe psikologjik për fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë. Klinika Psikiatrike e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka krijuar një repart të posaçëm për trajtimin e varësisë por ky repart është i dedikuar për pacientët e rritur, edhe pse ai trajton edhe fëmijët duke qenë se nuk ekziston repart i veçantë për ta”.
“Trajtimi mjekësor bazohet kryesisht në programet e detoksikimit që përdorin barna nga Lista esenciale e barnave të financuara nga Ministria e Shëndetësisë. OJQ Labyrinth, është e vetmja OJQ lokale për të ofruar shërbime rehabilitimi, por këto shërbime nuk sponsorizohen nga shteti dhe kjo OJQ nuk mund të mbulojë të gjitha nevojat” thuhet ne komunikatën e KOMF.
Ky rrjet organizatash rekomandon fuqimisht që qeveria të caktojë prioritet mbrojtjen e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë nëpërmjet krijimit, sponsorizimit dhe zhvillimit të shërbimeve në nivel shtetëror që mundësohen nga ofruesit shtetëror dhe privat.
Gjithashtu është thënë që Kosova ka nevojë të krijojë mekanizma të qëndrueshëm për grumbullimin e të dhënave dhe të kërkimit në mënyrë që të gjenerojë informata më të qëndrueshme për nivelin e përhapjes së rasteve të abuzimit me narkotikë./klankosova/