Fëmijët që kalojnë shumë kohë me baballarët e tyre, janë më inteligjentë

41

Fëmijët që kalojnë shumë kohë me baballarët e tyre janë më inteligjentë. Këtë nuk e thonë baballarët, por një kërkim shkencor sipas të cilit kalimi i kohës me prindin do të ndihmonte në rritjen e inteligjencës së të vegjëlve. Studimi u krye nga një grup studiuesish nga tre universitete britanike, Imperial College London, King’s College London dhe Oxford University, dhe u botua në “Infant Mental Health Journal”. Studimi tregoi efektet e dobishme të gjetura tek fëmijët që kanë një baba të vëmendshëm dhe të pranishëm në jetën e tyre. Ekspertët anketuan 128 baballarë në Mbretërinë e Bashkuar, nga zona të ndryshme gjeografike dhe nga sfera të ndryshme të jetës. Vullnetarët pastaj u filmuan duke kaluar kohë me fëmijët e tyre. Konkretisht, sjellja e baballarëve me fëmijët e tyre u analizua kur ata ishin vetëm tre muajsh dhe dy vjet më vonë.

Fëmijët më pas iu nënshtruan testeve njohëse. Rezultati? Ata që kishin kaluar më shumë kohë me babanë e tyre arritën performanca më të mira në të gjitha testet.

“Edhe në tre muajt e parë të jetës, ndërveprimet midis babait dhe fëmijës mund të prodhojnë rezultate pozitive që mund të shihen dy vjet më vonë”, tha Paul Ramchandani, profesor kryesor i hulumtimit. Shkencëtarët kanë gjetur gjithashtu se gjendja shpirtërore e prindërve është parësore. Një baba i dëshpëruar, i shqetësuar ose i stresuar në fakt do ta transmetojë këtë negativitet edhe tek fëmijët e tij. “Ne gjithashtu zbuluam se fëmijët që ndërveprojnë gjatë seancës së leximit me një baba të ndjeshëm, të qetë dhe pa ankth janë ata që në moshën dyvjeçare demonstrojnë zhvillim më të madh, dhe aftësi më të madhe gjuhësore dhe zgjidhjen e problemeve – zbuloi Vaheshta Sethna, studiuese në King’s College. Kjo sugjeron që aktivitetet e leximit ndihmojnë fëmijët dhe rezultatet tona gjithashtu demonstrojnë rëndësinë e të pasurit një baba të pranishëm dhe pozitiv me fëmijët e tyre”.