Fëmijët meritojnë më shumë edukatë

46

(Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Fëmijëve – 1 qershori)

Nga Xheladin MURATI

Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Fëmijëve shënohet më 1 qershor dhe është vendos si ditë e tillë me rastin e Mbajtjes së Konferencës Botërore të Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë më 1925. Për fëmijët festohen edhe data të tjera si: Dita Universale e fëmijëve 20 nëntori e caktuar nga OKB-ja, Dita Botërore kundër punës së fëmijëve 12 qershori e përkrahur edhe nga ILO, Dita Ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve si ushtarë 12 shkurti etj. Fëmijët janë ardhmëria e shoqërisë. Kjo imponon që ajo të tregoj kujdes më të madhe për to. Shoqëria dhe institucionet e saja duhet të ndërtojnë strategji për zhvillimin pa pengesa të tyre. Mbase fëmijët meritojnë më shumë lumturi, edukatë, shëndet, kujdes dhe mirëqenie. Buzëqeshja e fëmijëve është buzëqeshja më e ëmbël se buron nga shpirti i dlirë dhe zemra e pastër.

PREMISAT

  1. Fëmijët duhet kuptuar dhe zbuluar çka duan.
  2. Përpiquni të vendosini rutinë në edukim.
  3. Sjellja e fëmijëve duhet të kontrollohet.
  4. Është e domosdoshme fëmijët të mësohen dhe edukohen të jenë tolerues.
  5. Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për njohuri, këshilla dhe mësime, por edhe dashuri, ngrohtësi dhe përkujdesje.

QASJET DHE ASPEKTET

Fëmijët sot janë nën ndikimin e faktorëve të shumtë shoqëror, familjar e teknologjik. Ato kanë nevojë që përvojën e fituar nga dora e pare në familje nga prindërit, vëllezërit dhe motrat, nga edukatorët dhe mësuesit ta përforcojnë edhe më tej. Prandaj duhet të aftësohen të bëhen të zotë, të arrirë dhe të suksesshëm. Rezultatet e mija nga fusha e pedagogjisë dhe edukimit sugjerojnë që fëmijët në vetvete nuk janë të këqij dhe nuk shkaktojnë dëme, por që rrethanat jetësore (mikroambienti dhe makroambienti) është kontribuues i prishjes së sjelljes së tyre.

Fëmijët kanë nevojë për:

– ndikim pozitiv në shëndetin mendor;

– mbrojtjen e tyre nga përmbajtjet e dëmshme në TV, shtyp, mediat sociale etj.

– mbrojtjen e tyre nga dëmet fizike dhe psikologjike të cilat i reklamojnë mediat sociale;

– pengimin për përdorimin e shpeshtë të mediave dhe rrjeteve sociale ku shoqërohen me shqetësime më të mëdha psikologjike;

– kanë nevojë për inkurajim dhe ndërveprime sociale;

– të mundohemi që jeta e tyre të jetë normale duke vendosur stile të jetës së shëndetshme dhe zvogëlimin e stresit, depresionit, ankthit, frikës së paarsyeshme;

– të përgatiten fëmijët për punët e së ardhmes;

– familja dhe shkolla të organizojnë jetën e tyre, ta zbukurojnë dhe ti edukojnë për të qenë protagonist të së nesërmes;

– aftësimi për ta përdorë teknologjinë arsimore.

Dy bazat themelore që e formojnë sjelljen e fëmijës janë modeli i edukatës në familje (mikromjedisi social) dhe modelet që ofron shoqëria (makromjedisi social) të cilat ai më tej i kopjon. Fëmijët mësojnë duke kopjuar dhe imituar të tjerët si moshatarët dhe të rriturit. Ata duhet të edukohen të sillen me respekt dhe me kujdes ndaj vetes dhe të tjerëve, të tregojnë durim dhe dashamirësi. Procesi i edukimit është shumë i rëndësishëm dhe ai përfshinë disa aspekte:

  1. Si të bëhet zhvillimi psikosocial, intelektual, moral e të ngjashme;
  2. Zhvillimi në shkollë gjatë të mësuarit dhe zhvillimin e aftësive mendore;
  3. Formimi gjatë marrëdhënieve sociale;
  4. Sjellja ndaj problemeve me të cilat përballet.

Është e rëndësishme te fëmijët të zhvillojmë ndjenjën e besimit dhe të zbulojmë dëshirat dhe pasionet e tyre. Me fëmijët duhet kaluar kohë për t’i kuptuar dhe për t’i zbuluar. Në këtë kontekst duhet kuptuar nevojat e caktuara emocionale të fëmijëve të cilat mund të plotësohen në mënyra të ndryshme si përmes dashurisë, kuptimit, disiplinës, lirisë etj. Tek fëmijët duhet zhvilluar edhe inteligjencën emocionale. Një thënie izraelite është shumë domethënëse për praktikën e edukimit edhe pse ajo nuk përkon me pedagogjinë bashkëkohore ku është e ndaluar ndëshkimi fizik. Ajo thotë: Nëse i do fëmijët, jepu shumë dajak, nëse s’i do jepu shumë për të ngrënë”. Megjithatë mendoj se  fëmijët duhet trajtuar me kujdes, duhet ndërtuar sjellje ndaj fëmijëve, të jemi tolerantë, mbrojtës e mbështetës të tyre. Kjo kërkon përkushtimin e familjes ndaj fëmijës dhe të rriturit të respektojnë nevojat e tyre, të ofrojnë stile jete, model të sjelljes pozitive, të sigurojnë qetësi dhe afërsi. Faktikisht duhet të kenë aftësi për të menaxhuar rritjen e fëmijëve.

PËRFUNDIM

Fëmijët janë protagonistët e së ardhmes dhe ato kanë nevoja të caktuara emocionale dhe sociale të cilat plotësohen përmes procesit të edukimit i cili themelohet në dashuri të thellë, në kuptimin e dëshirave të tyre dhe në disipline të caktuar. Duhet të kontrollohen ndjenjat e tyre, mënyra se si shprehen në raport me të tjerët. Kjo mbase edukimi i tyre duhet të bëhet sipas rregullave dhe parimeve. Jo çdo gjë që ata kërkojnë është e arsyeshme. Prandaj të rriturit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në plotësimin e nevojave dhe artikulimin e kërkesave të tyre. Në këtë kontekst katër gjëra duhet t’i kemi parasysh:

(1) T’i lejojmë fëmijët t’i shprehin emocionet, por edhe ti orientojmë ato.

(2) Të formojmë dhe të ndërtojmë marrëdhënie të forta me fëmijët dhe të besueshme.

(3) Meqë fëmijët rregullisht i vëzhgojnë të rriturit, duhet ndaj tyre të kemi sjellje korrekte, të sinqertë dhe të besueshme.

(4) Ti edukojmë fëmijët në modesti, sepse të rinjtë sot mendojnë se janë yje, e kjo është shumë e gabuar. (koha.mk)

Comments are closed.