Driton ZENKU
Gostivar, 22 prill – Në Maqedoni fëmijët me autizëm ballafaqohen me probleme të mëdha, si pasojë e mungesës së kuadrit profesional. Me këtë problem ballafaqohen dhe institucionet edukative dhe arsimore të rajonit të Gostivarit, shkruan gazeta KOHA. Mungesat vërehen në shkolla, por edhe në çerdhet e fëmijëve parashkollor. Megjithëse fëmijët me autizëm përfshihen në arsimin e rregullt fillor, jo të gjitha shkollat janë të përgatitura që atyre t’u sigurojnë arsimin përkatës, në përputhje me nevojat e tyre. Një nga këto institucione është edhe Çerdhja për fëmijë “Gëzimi fëmijëror”, në Gostivar, në suaza të së cilës funksionojnë tre çerdhet e qytetit. Nga atje pohojnë se mungesë të tillë dhe se institucioni ka adresuar përmes Komunës së Gostivarit kërkesë deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, mirëpo pasi ka ndalesë nga Komisioni për Antikorrupsion për punësime të reja për shkak të gjendjes politike, si rezultat i mosformimit të qeverisë së re, përgjigja ka qenë negative. Zëvendësdrejtoresha Sindis Memedi thotë për KOHA që pas tejkalimit të krizës politike kërkesa do të përsëritet deri tek institucioni gjegjës.
“Mungesat e tilla i kemi të evidentuara. Këtë problem e kemi parasysh dhe vazhdimisht kërkojmë zgjidhje. Është e vërtetë që me kërkesë të institucioneve arsimore dhe edukative disa herë kemi bërë kërkesë deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Në një rast, respektivisht në Shkollën e mesme teknike komunale, kërkesa u aprovua nga ministria por nuk arritëm të gjejmë kuadro adekuate për trajtimin e fëmijëve me autizëm. Për momentin nuk kemi kuadro shqiptare të profesionalizuara në këtë drejtim. Kur flasim për çerdhet publike, me kërkesë të tyre kemi nisur deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, kërkesë për angazhim të kuadrit adekuat. Përgjigja ishte negative shkaku i ndalesës së përkohshme për punësime. Po edhe të ishte pranuar dhe po të hapej vendi i punës, do ta kishim problem të gjejmë kuadër. Rast kishim me shkollën e mesme teknike komunale”, thotë Bashkim Hasani, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës. Për mungesën e kuadrit profesional tregojnë edhe të dhënat në Agjencinë për Punësim në Gostivar. Drejtori Hisam Amzai thotë që në listën zyrtare të të papunëve, aktualisht nuk kemi asnjë kuadër të tillë të papunë. Bashkim Hasani, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Gostivar, thotë që nëse do të paraqitet ndërkohë ndonjë kuadër i diplomuar në këtë drejtim, edhe nëse nuk do të merret pëlqim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, është komuna e Gostivarit që do të siguron mjete të nevojshme financiare për rrogën dhe kontributet shtesë me qëllim të angazhimit sa më të shpejt të kuadrove të tilla. Hasani thotë se çështja është delikate dhe se me problem të tilla ballafaqohen edhe qytetet e tjera të Maqedonisë. Nga Instituti për Defektologji thonë se gjendja me defektologët është alarmante. Në çdo shkollë duhet të ketë nga një defektolog, që të punojë çdo ditë me fëmijët me autizëm, por kuadri profesion është në mungesë. “Megjithëse fëmijët me autizëm përfshihen në arsimin e rregullt fillor, jo të gjitha shkollat janë të përgatitura që atyre t’u sigurojnë arsimin përkatës, në përputhje me nevojat e tyre”, thonë nga ky institut nga ku sugjerojnë që në çdo shkollë fillore duhet të ketë nga një defektolog, nëse duam që të sjellim inkluzionin ashtu sikur në vendet e BE-së. Krahas mungesës së kuadrit, mungojnë edhe trajnimet në kuadrin mësimdhënës për punë me këta fëmijë, mungon sensibilizimi i plotë i kuadrit mësimdhënës, ka mësimdhënës të cilët refuzojnë të punojnë dhe konsiderojnë se fëmijët me autizëm nuk duhet të jenë pjesë e arsimit të rregullt fillor, por duhet të regjistrohen në paralele ose në shkolla fillore të veçanta. Vërehet edhe diskriminim nga prindërit e moshatarëve të tyre. Sipas statistikave, gati 20% e fëmijëve me autizëm kanë inteligjencë normale, 5% kanë inteligjencë mbi mesatare, ndërsa 75% kanë inteligjencë mjaft të ulët dhe këta të fundit e kanë shumë më të vështirë të përfshihen në shkollë. Krahas Qendrës Ditore për fëmijët me nevoja të posaçme, paralele të posaçme ka edhe në shkollat Ismail Qemali dhe Mustafa Kemal Ataturk. Te kjo e fundit, funksion paralelja speciale për fëmijët me nevoja të posaçme dhe është e pajisur me set logopedik Behringer dhe aparat logopedik vibrafon për trajtimin e problemeve dhe vështirësive në të folur.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara