Në paralelet maqedonase ka edhe defektolog, logoped e psikolog maqedonas, ndërsa në paralelen shqiptare ka vetëm defektolog shqiptar e jo logoped
Delvina KËRLUKU
Shkup, 31 janar – Fëmijët me autizëm kanë mundësi të arsimohen në shkolla speciale. Prindët e këtyre fëmijëve thonë se kushtet që ofrojnë shkollat speciale nuk janë në nivel, sidomos për fëmijët shqiptar. Nga ana tjetër mësimdhënësit në shkollën speciale “Idnina”, thonë se tashmë janë formuar paralele ku janë të inkuadruar fëmijët shqiptar, shkruan gazeta KOHA.
Por objektivi i prindërve edhe i Ministrisë së Arsimit është se si të bëjnë reforma që këta fëmijë të përfshihen në shkolla të rregullta, gjë që këtyre u nevojitet orë mësimore individuale dhe me më përkushtim, për avancimin e tyre. Emsha Ferati është nëna e një fëmije 12 vjeçar me autizëm, e cila është shpërngulur nga Tetova në Shkup, për kushte më të mira për fëmijën e saj.
Ajo për ta socializuar djalin e ka dërguar në shkollë, por fëmija i saj nuk është trajtuar si të gjithë fëmijët e tjerë dhe ka vendos ta dërgojë në klasën e gjashtë në shkollën speciale “Idnina” në lagjen Veri të Shkupit. Vijimi i arsimit ka sjell sfida të reja, si mungesë të transportit, mungesë kushtesh optimale dhe kuadër profesional në shkollën ku merr mësime fëmija me autizëm.
“Djali im shkon në shkollë speciale. Në shkollë nuk kemi kuadër të mjaftueshëm, nuk kemi logoped shqiptar. Klasat shqiptare janë të stërngarkuara me shumë nxënës. Udhëtimin për në shkollë e bëj bashkë me djalin, por edhe qëndrojmë në klasë bashkë. Udhëtojmë çdo ditë me autobus, por meqë ka raste kur djali pëson kriza, ai reagon. Kjo shkakton reagime te qytetarët, prandaj shpesh herë jam e detyruar të udhëtoj edhe me taksi”, thotë nëna Emsha.
Ajo shton se në paralelet maqedonase ka edhe defektolog edhe logoped e psikolog maqedonas, ndërsa në paralelen shqiptare ka vetëm defektolog shqiptar e jo logoped. Mësimdhënësja Avidan Imeri, që ushtron rolin e defektologes në shkollën “Idnina”, thotë se janë formuar paralele me kuadër shqiptar. Ndërkaq, prindërit e fëmijëve me autizëm në mungesë të logopedit shqiptar në shkollën “Idnina”, fëmijët e tyre i në orë mësimore private.
Në shoqatën “Interakcija Plus”mësimi mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ana Petreska themeluese e kësaj shoqate thotë për gazetën tonë, se janë të inkuadruar dy mësimdhënës shqiptar të angazhuar me spektrin e autizmit. Mirëpo, shumë prindër ankohen se nuk kanë mundësi financiare që të dërgojnë fëmijën e tyre në orë private te logopedi ose psikologu, ndaj ata kërkojnë kuadër shqiptar logoped, defektolog, psikolog. (koha.mk)