Fëmijët çdo ditë e më afër aparateve të lojërave të fatit

Driton ZENKU

Gostivar, 16 janar – Së fundmi, një dukuri e përhapur në mesin e bastoreve sportive dhe objekteve të tjera që merren me organizimin e lojërave të fatit, është prania e personave të mitur, shkruan gazeta KOHA. Lokale të ndryshme të lojërave të fatit qëndrojnë të vendosura afër shkollave edhe pse një gjë të tillë nuk e lejon ligji për këto lojëra. Brengosja se si i shfrytëzojnë fëmijët lojërat e fatit, lojërat kompjuterike dhe disa veti tjera të lidhura me këto dukuri devijante, duhet të jetë një shqetësim për shoqërinë dhe në rend të parë për familjet. Psikologët shprehen që pasioni për bixhozin kalon nga një brez në tjetrin. Fëmijët e prindërve që luajnë rregullisht bixhoz, kanë mesatarisht 10 herë më shumë mundësi nga fëmijët e tjerë, të shfaqin probleme vesi të lojërave të fatit me kalimin e kohës. “Studimet e fundit tregojnë se varësia nga lojërat e fatit kalon tek fëmijët në përqindje shumë më të madhe nga ç’mendonin shkencëtarët. Tek zbulimet e reja të cilat përshkruhen tek hartimi me temë ‘Fëmijët janë në rrezik të shfaqin probleme me bixhozin’, rrëfehet se sa shumë influencohen fëmijët e atyre që luajnë bixhoz. Rezultatet tregojnë se fëmijët e baballarëve që luajnë bixhoz, kanë 13.5 herë më shumë rrezik se fëmijët e tjerë të shfaqin problem më vonë dhe fëmijët që u loz nëna, 10.6 herë më shumë. Për fat të keq, shumica e fëmijëve, këtë ves e mësojnë nga vetë prindërit të cilët i marrin me vete për të lozur e për tu bërë shoqëri. Çdo herë ka përjashtime dhe nuk mund të mos merren para sysh edhe rrethanat e tjera, siç është situata ekonomike dhe sociale. Edhe këto rrethana ndikojnë në shtimin e rasteve kur fëmijët afrohen tek këto lokale”, thotë për KOHA psikologu Berat Abdiu, i cili shton se bixhozi dhe lojërat e fatit, ndonjëherë mund edhe të të sjellin ndonjë fitim në para, por ato shtojnë dëshirën për të fituar edhe më shumë. Kështu, duke vazhduar të luash, do të humbasësh jo vetëm atë që ke fituar por shpeshherë ndodh edhe të hysh borxh, dhe për pasojë, të përballesh me probleme nga më të ndryshmet. Gjendja bëhet e theksuar sidomos tek fëmijët, të cilët janë më të prirë të thellohen më tepër madje edhe duke grabitur brenda familjes apo në rrethana të tjera, për ta arritur qëllimin. Ligjet në fuqi saktësojnë se personave nën 18 vite u ndalohet prania dhe pjesëmarrja në objektet dhe lojëra e fatit. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë shprehen të vetëdijshëm për këtë dukuri, por thonë që parandalimi i këtij fenomeni duhet të bëhet në koordinim me institucionet përkatëse, respektivisht inspektoratet që kanë kompetenca për veprimtarinë e bastoreve sportive dhe objekteve të tjera që merren me organizimin e lojërave të fatit. Si masë preventive për parandalimin e kësaj dukurie, nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thonë se kanë  realizuar disa projekte me nxënësit e shkollave të rajonit. Policia e koordinuar me institucionet kompetente vazhdimisht vëzhgon nga afër objektet që merren me organizimin e lojërave të fatit, përfshi çështjen e funksionimit të tyre në bazë të ligjeve, si dhe praninë eventuale të personave të mitur nën moshën 18 vjeçare. “Me nxënësit e shkollave fillore nga klasa e pestë deri në të nëntën u kemi mbajtur ligjërata për tu shpjeguar atyre pasojat nga frekuentimi i bastoreve sportive apo objekteve të tjera ku organizohen lojëra të fatit. Policia po ashtu do të ndjek funksionimin e objekteve të tilla. Nëse do të hasen persona nën moshën 18 vjeçe duke luajtur lojëra fati, në bashkëpunim me organet kompetente do të merren masa ndaj pronarëve të subjekteve juridike. Sipas ligjit, masa do të merren edhe për prindërit e fëmijëve që do të hasen në objekte të tilla”, shprehet zëdhënësi Marjan Josifoski, duke shtuar që këto aktivitete preventive po ndërmerren me qëllim që të parandalohen dhe fëmijët të qëndrojnë larg dukurive të tilla devijuese.

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.