Driton ZENKU
Gostivar, 18 janar – Birësimi apo adaptimi i fëmijëve bonjak, vazhdon të mbetet një tabu temë për banorët e regjionit të Gostivarit. Se është kështu flasin shifrat nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar, ku dhe nuk kanë regjistruar asnjë birësim brenda vitit 2016, shkruan gazeta KOHA. Por ky realitet nuk paraqet ndonjë risi, sepse kjo gjendje përsëritet tani e disa vite. Një dukuri e tillë tregon se qytetarët e Komunës së Gostivarit nuk shprehin interesim për të marrë në përkujdesje ndonjë nga fëmijët pa prindër, për dallim nga Komunat e tjera të cilat shënojnë një shkallë më të lartë të interesimi. Edhe në raste kur qiftet bashkëshortore nuk kanë fëmijë, vendimin për të adaptuar ndonjë fëmijë bonjak nuk e shohin si zgjidhje. Muhamed Tahiri nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar, njofton për gazetën KOHA se në Gostivar numri i fëmijëve pa prindër është pesë, të cilët në rrethana nga më të ndryshmet kanë ngelur pa asnjërin nga prindërit. Por deri më tani, vetëm dy familje janë paraqitur në qendër për tu përkujdesur për këta fëmijë që të rriten në mjedis familjarë. “Realisht në territorin e Komunës së Gostivarit vërehet ky problem. Në komunat tjera janë më tepër të interesuara , ne kishim dy familje, ato i morën fëmijët dhe i rritën, tash janë të moshuar dhe nuk janë të interesuar që të mbajnë fëmijë”, shprehet ai. Numri i fëmijëve pa prindër në komunën e Gostivarit lëviz vazhdimisht por sillet rreth numrit 5. Këta janë fëmijë vetëm për tu përkujdes dhe risocializuar në mjedise familjare që mos mbeten rrugëve. Qendra kërkon familje që këta fëmijë do ti mbajnë si fëmijët e vetë. Duke e pasur para sysh mosinteresimin, për familjet që kanë interesim që ti rrisin këta fëmijë pranë gjirit të tyre familjarë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ndan edhe kompensim të majmë material. Muhamet Tahiri nga kjo qendër apelon që më tepër interesim për përkujdesje ndaj fëmijëve pa prindër të tregojnë familjet e rrezikuara sociale dhe kjo për shkak të kompensimit material që ju takon me qëllim që në këtë formë, edhe gjendjen e tyre materiale e përmirësojnë.
Kompensimi material për familjet që do të rrisin fëmijë të këtillë zgjat deri sa ai të mbarojë shkollimin. “Qendra për Punë Sociale në Gostivar u jep familjeve që janë të interesuara fëmijë pa prindër që kanë qenë të evidentuar në Qendrën për Punë Sociale dhe për ato bën kompensim. Kompensimi për ata bëhet deri në moshën 18 vjeçare ose deri në moshën 25 vjeçare. Bëj apel te familjet që janë të interesuara që të rrisin fëmijë pa prindër që ne i kemi të evidentuar, të vinë dhe të marrin sepse qendra për punë sociale ua mbulon shpenzimet me një shumë të mirë, dhe ata kujdesen për ata fëmijë deri në atë moshë. Që të vihet deri në mjetet financiare për ndonjë familje, është mirë që të bëjnë kërkesë. Sidomos familjet e rrezikuara sociale dhe të merren me këtë problematikë”, vijon Tahiri. Kushti kryesorë për përkujdesje ndaj këtyre fëmijëve është që në asnjë formë të mos abuzohet me të dhe të rritet ashtu si fëmijët tjerë të familjes, duke i mundësuar të njëjtit ambient të ngrohtë familjarë, socializim e edukim si që e kërkon mosha e tij. Edhe përfitimet materiale nga një veprim i tillë, nuk ka qenë motiv që ndonjë familje të vendos të adaptojë ndonjë foshnje paprindër. Vlera prej 100 euro që do ta fitonte ndonjë familje kujdestare, nga ana e shtetit, nuk ka qenë e mjaftueshme që ndonjë familje të vendoste të hap dyert e shtëpisë për ndonjë fëmijë fatkeq që në raste nga më të ndryshmet, ka ngelur pa asnjërin nga prindërit. Vlerësohet se qytetarët kishin mundësi të dëgjojnë dhe të informohen për atë se çka do të thotë të jesh “prind” i foshnjave paprindër, por nuk mund të japin sqarime se pse qyfterët nuk e pranuan këtë porosi si të tillë, duke u shprehur se një ndjenjë e tillë indiferente është rëndë të shpjegohet dhe t’i jepet një përgjigje e saktë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.