Çdo 7 sekonda në botë, një vajzë me moshë më të vogël se 15 vjeçe martohet, shpesh e detyruar nga prindërit, në një martesë me një burrë shumë më të madh në moshë.
Çdo vit janë rreth 15 milionë vogëlushe- nuse dhe 4 milionë prej tyre nuk i kanë mbushur 15 vjeçe. Sipas raportit të titulluar “Fëmijëri e vjedhur”, e prezantuar nga shoqata ‘Save The Children’, Nigeria mban vendin e parë në botë me martesat e të miturave, ku 60% e vajzave me moshë nga 15- 18 vjeçe martohen. Më pas vjen Bangladeshi me 44% dhe Sudani i Jugut me 40%.
Studimi shpjegon se martesat e parakohshme kanë efekt shkatërrues në jetën e vajzave të vogla, të cilat detyrohen të heqin dorë nga fëmijëria e tyre dhe nga shkolla, pasi duhet të mbajnë familjen. Vogëlushet- nuse rrezikojnë edhe nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme apo të dhunës në familje, çka çon në vdekjen e shumë prej tyre.