Fëmija që qan në kufi, Foto e Vitit

Fotografia e një vajze 2-vjeçare nga Hondurasi, e cila qan teksa e ëma arrestohet në kufirin SHBA- Meksikë, është zgjedhur si fotoja e vitit. Çmimi prestigjioz “World Press Photo”, më i rëndësishmi i gazetarisë fotografike, i shkoi fotoreporterit të Getty Images, John Moore, shkrepja e të cilit bëri xhiron e botës në 2018-ën.

Fotografia ngjalli polemika të shumta brenda Shteteve të Bashkuara, rreth politikës së ashpër të presidentit Donald Trump ndaj emigrantëve. Imazhi i vogëlushes 2-vjeçare, zuri edhe kopertinën tejet të gjetur të revistës Time. Përballë saj këtë herë ishte vetë presidenti Trump, me diçturën “Mirë se vini në Amerikë”.

Vendimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë për të ndarë fëmijët nga prindërit emigrantë u kundërshtua fort nga opinioni publik amerikan. Së fundi një gjykatë në San Francisco rrëzoi urdhrin e Trumpit, duke vendosur për bashkimin e rreth 2 700 fëmijëve me prindërit me status azilanti në SHBA.