Londër, 24 prill – Fëmija i Megan Markëll dhe princit Hari do të hyjë në histori për disa arsye, e njëra prej tyre është edhe ajo se trashëgimtari i ardhshëm i fronit mbretëror britanik, zyrtarisht, do të jetë foshnja e cila i takon dy racave.
Babai i Meganit është i bardhë, ndërsa nëna e saj është afroamerikane. Edhe pse në shekullin 19 supozohej se mbretëresha Sharllot ka pasur prejardhje afrikane, kjo asnjëherë nuk u konfirmua zyrtarisht, për dallim nga kjo aktualisht.
Më tutje, foshnja do të jetë fëmija i parë në familjen mbretërore me të drejtë të shtetësisë amerikane, duke pasur parasysh se Megan Markëll ende është shtetase amerikane. Në rast se nuk heqë dorë nga shtetësia amerikane, ajo do të vazhdojë të paguajë tatime në SHBA, ndërkaq e njejta e pret edhe vajzën apo djalin e saj.
Fëmija i princit Hari dhe Megan Markëll do të jetë i shtati në radhë për kurorën, por nuk do të bëhet menjëherë princ/princezë. Sipas të gjitha gjasave, nëse është djalë, ai do ta mbajë titullin konti i Dumbartonit, ndërkaq nëse është vajzë, do ta marrë titullin lejdi. Titullin duka i Saseksit do ta trashëgojë vetëm fëmija i parë mashkull i princit Hari, që do të thotë se titulli do të zhduket nëse Megan dhe Hari nuk do të kenë djem.
Fëmija do të rritet në rezidencën Frogmor kotixh, ku asnjë fëmijë mbretëror nuk është rritur me shekuj.