Marouanne Fellaini është gjithmonë e më larg Manchester United-it. Mesfushori belg është në vitin e fundit të kontratës që e lidh me ‘djajtë e kuq’, por këta të fundit nuk kanë ndërmend t’ia rinovojnë.
Ndonëse Mourinho e ka përdorur shpesh në formacion, duket se forma e mirë e Herrerës dhe Matiçit, por edhe rikthimi i Paul Pogba-së, ia ka mbyllur hapësirat belgut. Në pole për të marrë shërbimet e tij është klubi turk i Besiktas-it, që thuhet se ka arritur edhe akordin me lojtarin, për transferimin në muajin qershor.
Por, mesa duket Manchesteri nuk ka ndërmend ta humbasë belgun pa përfituar asgjë dhe ua ka ofruar turqve që në janar, në këmbim të 10 milionë eurove. Besiktas është shumë pranë kalimit të fazës së grupeve të Champions League-s dhe do të ishte e interesuar që të afronte sa më shpejt Fellainin, për ta përdorur në pjesën e mbetur të sezonit, ndaj duket se janë të gatshëm të paguajnë vlerën e kartonit të tij.