Joao Felix është prezantuar si lojtar i ri i Atletico Madridit, një javë pasi e kompletoi transferimin rekord nga Benfica.
Atletico Madridi e theku rekordin e klubit duke i paguar plot 126 milionë euro. Talenti portugez u prezantuar sot në kryeqytetin spanjoll dhe do ta bartë fanellën me numrin shtatë, që deri këtë verë i takonte Antoine Griezmannit, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Por, pasi sulmuesi francez e njoftoi klubin muaj më parë se dëshiron të largohet në verë, Atletico ia dha numrin 7 blerjes më të shtrenjtë në histori të klubit, Felixit.
19-vjeçari Felix ka nënshkruar kontratë shtatëvjeçare me Atleticon dhe ndihet i lumtur që do të luajë në kryeqytetin spanjoll.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti dhe historisë së këtij klubi. Jam këtu për t’i ndihmuar klubit sa më shumë që të jetë e mundshme. Bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë”, tha Felix.
Felix bëhet blerja më e shtrenjtë në histori të Atleticos dhe lojtari i katërt më i shtrenjtë në botë pas Neymarit, Kylian Mbappes dhe Philippe Coutinhos.