Stamboll, 18 janar – Fejsbuk ka bërë të ditur sot se ka filluar proces për emërimin e një përfaqësuesi juridik në Turqi. Vendimi është marrë pasi Turqia ka miratuar në ligj të ri për mediat sociale, të cilave u kërkon të emërojnë përfaqësues në këtë vend.
Fejsbuk kumtoi se kjo masë nuk do t’i ndryshojë standardet e komunitetit të kompanisë dhe se nëse përballet me presion mbi ato standarde, do ta tërheqë përfaqësuesin.
Kritikët thonë se Ankaraja e ka shtrënguar kontrollin e saj ndaj mediave.
Sipas legjislacionit turk, kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale, Fejsbuk dhe Tuiter duhet të kenë zyrat e tyre përfaqësuese në Turqi për të trajtuar ankesat kundër përmbajtjes në këto platforma.
Dështimi i emërimit të një përfaqësuesi, që duhet të jetë shtetas turk, do të rezultojë me gjoba, ndalim të reklamimit dhe zvogëlim të aktivitetit, që më pas do të vështirësonte përdorimin e tyre.
Legjislacioni, i miratuar në mesin e vitit 2020, po ashtu u kërkon ofruesve të këtyre shërbimeve që të ruajnë të dhënat në Turqi, duke e bërë më të lehtë qasjen në to nga prokurorët dhe autoritetet tjera.