Muzika thonë që është kënga e shpirtit dhe e vetmja që arrin deri aty sa nuk e mendonte askush dhe ai që e vlerësonte më shumë këtë gjë, ka qenë padyshim Feim Ibrahimi, kompozitori kontrovers. Ibrahimi ka lindur në Gjirokastër dhe që fëmijë është rritur në një mjedis kur këngët polifonike shoqëronin çdo moment të jetës familjare. Prindërit e tij ishin njohës mjaft të mirë të atyre këngëve, të cilat nuk do të kalonin pa lënë gjurmë në jetën e kompozitorit. Ibrahimi është një nga personalitetet më të spikatura të muzikës shqiptare që prej viteve 1970 e më tej. Ai u përpoq me të gjithë mënyrat të sillte një muzikë anti dogmë, anti ideologjike, jashtë stampave të kohës, duke e “tronditur” herë-herë frymën që përshkonte muzikën socrealiste shqiptare. Krijimtaria muzikore e Ibrahimit, përmban në vetvete vepra nga llojet më të ndryshme. Atë mund ta ndajmë në tri periudha. Në periudhën e parë, vitet 1963-1970, përfshihen krijimet e para të kompozitorit. Veçojmë këtu Tokatën për Piano, suitën e filmit Ngadhënjim mbi vdekjen, suksesi i së cilës e bëri të njohur, jo vetëm në qarqet artistike por edhe për publikun e gjerë. Ndërsa Koncerti për Violonçel e Orkestër dëshmoi qëllimin e Ibrahimit për prurje të reja, për të cilin autorin e atakuan në lidhje me tendencën e tij për të tejkaluar disa normativa akademike të muzikës së asaj periudhe, çka realisht do të përbënin një parathënie për kritikat e mëvonshme, shumë më të ashpra.
Ndonëse ende nuk mund të quhen përfaqësuese, krijimet e periudhës së parë treguan për ardhjen në skenë të një kompozitori të ri me pretendime serioze, ku gjithsesi dalin në pah simptomat e para të një autori profesionist. Vitet 1971-1990, periudha e dytë, përmban veprat ku autori kristalizoi tiparet e tij dalluese. Veçohen këtu dy koncertet për Piano e Orkestër si edhe Koncertin për Oboe e Orkestër. Të tri këto vepra sollën një realitet të ri për muzikën shqiptare të asaj kohe. Të shquara për një frymë novatore, duke treguar tendencën e Ibrahimit për të dalë nga standardet e kohës, në to dalin në pah specifikat dalluese të krijimtarisë së autorit. Të “akuzuara” si shumë racionale, larg ideologjizmave dhe frymës kombëtare ato u shoqëruan me kritika të ashpra, duke shkaktuar kështu edhe debatet më të mëdha për historinë e muzikës shqiptare. Një vend të veçantë në këtë periudhë zë edhe vepra e vetme skenike a autorit, Baleti Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë, të cilën e krijoi në një kohë kur ai e kishte arritur plotësisht stadin e pjekurisë kompozicionale, duke sjellë kështu një nga veprat më të mira për artin skenik shqiptar. Periudha e tretë dhe e fundit përfshijnë veprat e viteve 1990-1997. Ibrahimi në këtë periudhë shfaqet një kompozitor me një dozë të madhe tragjizmi në vetvete. Kjo gjendje e tij sigurisht që lidhet ne situatën historiko-politike, që po kalonte vendi ynë.
Pasi, ashtu si edhe shumë artistë të tjerë autori krijoi “iluzionin” se rrjedha e artit shqiptar me ndërrimin e sistemeve do të merrte një rrjedhë krejt të re dhe më pas diziluzioni i autorit, për arsye se atë do ta arrinin edhe ta shpërfillnin nga muzika shqiptare. Kështu ai mbërthehet i tëri nga mendimet dhe ndjenjat më të errëta të një njeriu, duke shkuar gjithnjë drejt një gjendje të pashpresë, kjo fazë mund të cilësohet edhe si periudha “tragjike” e krijimtarisë së Ibrahimit, përfaqësuese me veprat, De profundis, Trio Vikamë, Simfonia Tragjike, romanca Dasvidanja. Feim Ibrahimi ishte një njeri i mbushur me energji krijuese dhe me një kërkesë shumë të madhe ndaj vetes. Shumë herë pësoi zhgënjime, shumë herë mori goditje për veprat a tij, por asnjëherë nuk u mposht. Përkundrazi, sulmet apo kritikat e ashpra sikur e nxisnin të sillte një tjetër vepër akoma më të “papranueshme” se e para, akoma më antiskemë. Edhe kur ishte i detyruar të bënte ndonjë krijim sipas kërkesave të kohës, ai merrte goditje akoma më të mëdha, jo nga kritika, por nga vetvetja, sepse ai i urrente kompromiset, kjo gjë e vriste më shumë se gjithçka tjetër. Fryma tragjike që përshkon krijimet e tij të fundit, nuk i erdhi, ashtu, krejt papritur, përkundrazi, i kish rrënjët thellë në të kaluarën. Lind pyetja, pse Ibrahimi kishte një dozë tragjike të hershme, kur në kohën socialiste, ai gëzonte një prestigj të madh dhe, megjithatë sulmet që iu bënë, përsëri mbeti një personalitet i pacenuar?
Shpjegimi për këtë ka lidhje me faktin se, ndonëse Ibrahimi mund të gëzonte një prestigj për kohën, për disa vite radhazi, atë e mundonte diçka e brendshme, pamundësia për të krijuar në mënyrë të lirë dhe ajo që e lëndonte akoma më shumë ishte fakti që muzika shqiptare ndodhej shumë prapa në krahasim me zhvillimet muzikore të përbotshme. Për shkak të vonesës së madhe në kohë, por me kalimin e viteve sidomos për shkak të izolimit, muzika në Shqipëri nuk arriti të bënte hapa të ndjeshme përpara, ndërkohë që zhvillimet bashkëkohore jashtë vendit pasuroheshin vazhdimisht me drejtime të reja. Frut i këtyre reflektimeve ishin dy nga veprat e tij kryesore të viteve ’70, dy Koncertet për Piano e Orkestër që, me frymën e tyre të re, përcaktuan edhe një fazë emancipuese të muzikës shqiptare. Por klima e përgjithshme, pamundësia për t’i çuar më tej kërkimet e lira krijuese, për autorin do të ktheheshin në një obsesion, në një obsesion të mundimshëm që nuk mund të kalonte pa pasoja. Fatkeqësisht tërë këto energji, tërë këto dëshira u shuan më shpejt nga ç’mund të pritej, ai vdiq në Torino më 2 gusht 1997. Por shpirti i kompozitorit të paktën u preh në paqe, pasi, fare pak kohë përpara ndarjes përfundimtare, krijimtaria e tij u ndriçua me dy vepra, të cilat ia dedikoi të bijës së tij, pianistes Etrita. Si për t’i dhënë një fund paqtues trazimeve shpirtërore, që tashmë e kishin pushtuar të tërin, ai la pas vetes dy nga krijimet e tij ndofta më të brishta, Il regalo di nozze dhe E la tua vesta e bianca.