Një agjendë ambicioze investimi është duke u zhvilluar në projektet e infrastrukturës në vend. Investimet në infrastrukturën rrugore nga Korridori 8 dhe 10, autostrada Shkup-Bllacë dhe Kërçovë-Bukojçan, hekurudha, gazifikimi dhe lidhja me rajonin, por edhe reformat e tjera strukturore si digjitalizimi dhe investimet në kapitalin njerëzor, do të jenë shtytës të rritjes pas krizës dhe bazë për zhvillimin ekonomik. Kjo u theksua në shtyllën e katërt të diskutimit gjatë konferencës FEFSH, e cila i kushtohet sfidave pas krizës – gjegjësisht si të sigurohet një rritje e qëndrueshme ekonomike.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili mbajti fjalimin hyrës në panelin e katërt, vuri në dukje se një sërë faktorësh kushtëzojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Ai theksoi se aspiratat e vendit tonë janë të bëhet pjesë e BE-së. Ai theksoi se agjenda e infrastrukturës është ambicioze, gjegjësisht se po ndërtohen korridori 8 dhe korridori 10 ndërmjet Prilepit dhe Manastirit dhe autostrada Shkup-Bllacë, përfshirë autostradën Kërçovë-Bukojçan, e cila kap vlerën e përgjithshme prej 1.7 miliardë euro, ndërsa përfitimet do t’i ndjejnë ekonomia, kompanitë dhe qytetarët. Ai theksoi gjithashtu se një peshë të konsiderueshme të rritjes ekonomike do të kenë hekurudha përgjatë pjesës lindore të Korridorit 8, si dhe ajo perëndimore e këtij korridori me Shqipërinë, që pritet të nisë vitin e ardhshëm. Ky proces do të pasurohet me projekte nga agjenda e gjelbër, energjia e qëndrueshme, menaxhimi me mbetjet etj.
Folësi i dytë për këtë temë, ish-kryeministri britanik Toni Bler, vuri në dukje se zhvillimi i një ekonomie si kjo e jona kërkon katër ndryshime të rëndësishme – digjitalizimin për të përshpejtuar rritjen, energjinë e gjelbër dhe të rinovueshme, investimet në arsim dhe infrastrukturë dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryetarja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odil Rene Baso tha se BERZH i mbështet korridoret pan-evropiane, transportin hekurudhor, i cili është të paktën 50-60 për qind më i pastër se transporti rrugor. BERZH ka investuar më shumë se një miliard euro në transportin hekurudhor në Ballkanin Perëndimor dhe tani është koha e duhur për të investuar në infrastrukturë dhe për të afruar vendet e rajonit, në përgjigje të krizës klimatike.
Përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, si IFC dhe EIB, shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për vendin dhe rajonin për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike.
Menaxher Rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ari Naim tha se nuk mund të mbështetemi vetëm në investimet publike, por edhe në kapitalin privat. Siç theksoi ai, nevojiten rregullime teknike që do ta pozicionojnë më mirë vendin, si dhe se është koha për më shumë partneritete publiko-privat sepse shpërndarja është shumë më e rëndësishme se prodhimi sot.
Aleksandro Bragozi, kreu i Zyrës Rajonale të BEI-së për Ballkanin Perëndimor, e theksoi rëndësinë e investimit në sektorin e energjisë në drejtim të rritjes së prodhimit të energjisë dhe kursimit të energjensave. Ai theksoi se më shumë se 3.2 miliardë euro janë investuar në 10 vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, por se gjithmonë mund të ketë më shumë. Ai theksoi se krahas zhvillimit të infrastrukturës rrugore, duhet të merret parasysh edhe transporti më më ekologjik, siç është ai hekurudhor.