Rogjer Federer nuk do të luajë në grand slemin e Roland Garros, turne që nis më 27 maj. Tenisti zviceran nuk do të luajë në asnjë turne në fushat me dhè këtë sezon dhe do të nisë përgatitjet për grand slemin e tij të preferuar, Uimbëlldonin, që starton më 3 korrik në Londër. Lajmin e tërheqjes nga grand slemi parisien e konfirmoi vetë tenisti, përmes një mesazhi për fansat e tij në faqen zyrtare “Twitter”. “Nuk do të luaj në grand slemin e “Roland Garros”. Më vjen keq për fansat e mi, do të më mungojnë”, tha Federer. Më tej, tenisti zviceran shtoi: “Do të luaj në turnetë në fushat me bar. E di që ky vit ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për mua, por jam 36 vjeç dhe më duhet të mendoj se si ta zgjas sa më shumë karrierën”, u shpreh zvicerani, që në “Roland Garros” ka fituar vetëm një herë në karrierën e tij, në vitin 2009. Ndërsa në 4 finale të tjera (2006, 2007, 2008 dhe 2011) është mundur nga Rafael Nadal. RogJer asnjëherë nuk e ka preferuar sipërfaqen e fushave me dhè, por është “mbret” i fushave me bar.