Në përpjekjen e 10-të radhazi, më në fund, Nino Schurter ia ka dalë mbanë. Sportisti i garave të mountain bike është zgjedhur sot si “Sportisti më i mirë Zviceran për Vitin 2018”, duke zbritur nga froni një legjendë të sportit të këtij vendi si Roger Federer. Ndërsa vetë tenisti i njohur u rendit në vendin e dytë. “Ishte një tabu e vështirë për t’u thyer dhe rrëzuar, por ia dola mbanë. Ende nuk më besohet, falënderoj të gjithë fansat”, tha Schurter.
“Fitoret më të vështira janë edhe fitoret më të bukura. Të marr këtë çmim është një nder i madh për mua. Federer njihet kudo në botë, ndaj të renditem para tij është një nder i madh për mua” tha më tej çiklisti zviceran, që këtë vit fitoi për të gjashtin vit me radhë Kupën e Botës në disiplinën e mountain bike. Ai mori 33% të votave, duke lënë pas Federer me 22%, ndërsa i treti u rendit skiatori Dario Cologna, me 15% të votave.