Legjenda e tenisit, zvicerani Roger Federer ka patur shansin të luajë në lojën dyshe me të dy rivalët e tij kryesorë në karrierë, spanjollin Rafael Nadal dhe serbin Novak Djokovic. Me të parin fitoi ndërsa me të dytin humbi, ndërkohë që këto ndeshje kanë qenë të vlefshme për turneun “Laver Cup”, ku tenistët nga Europa luajnë ndaj atyre nga e gjithë bota.
Por për federer rezultati nuk ka shumë rëndësi, pasi përvoja që ka kaluar duke luajtur në krah dy rivalëve të tij ka qenë e jashtëzakonshme. “Ka qenë një eksperiencë fantastike të luaja në krah të Novak. Kemi biseduar disa herë gjatë pushimit për strategjinë e lojës dhe respekti reciprok që kishim është forcuar edhe më shumë pas këtij takimi”, tha Federer.
Më tej, tenisti zviceran bën dallimin mes dy tenistëve. “Rafa dhe Nole janë dy tenistë të ndryshëm në stilin e lojës. Nga këto ndeshje mësova shumë gjëra, pasi të luash duke patur në krah tenistë të këtij kalibri nuk është vetëm një kënaqësi por edhe një mësim. E përbashkëta është entuziasmi që ndjen kur luan ndeshje të tilla, me kampionë të tillë”, u shpreh Roger Federer.