Mbreti është rikthyer. Roger Federer ka fituar sot grand slemin nr.18 në karrierën e tij, duke mundur në finale rivalin e tij më të fortë, spanjollin Rafael Nadal, në një ndeshje epike dhe me 5 sete. Një finale spektakolare mes dy prej sportistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pas 8 vitesh, Nadal e Federer përballeshin sërish në një finale, ndaj sytë e gjithë botës ishin përqendruar në Melburn, aty ku skena ishte e gjitha për dy tenistët legjendë. “Këtu në Melburn gjithnjë gjithçka është fantastike. Shpresoj të shihemi sërish vitin tjetër”, tha Federer në ceremoninë e dorëzimit të trofeut. Tenisti zviceran nuk i kursen komplimentat për Nadal, që ashtu si Federer mungoi për disa muaj në pjesën e dytë të 2016-ës, për t’u rikthyer protagonist në fushë. “Dua ta përgëzoj. U takuam para disa muajsh në Akademinë e tij dhe nuk e kishim menduar kurrë që do të ishim sot në këtë finale. Sot edhe humbja do të më kënaqte. Tenisi është një sport i vështirë, pasi nuk ekziston barazimi, që do të ishte rezultati më i duhur për këtë finale. Falënderoj ekipin tim për mbështetjen, pasi ka qenë një rrugëtim fantastik. Urime edhe për Nadal, të uroj suksese të tjera, pasi tenisi ka nevojë për ty”, tha Federer pas ndeshjes.