Pasi ka përfunduar turneu i “Laver Cup” për meshkuj në tenis, Rafael Nadal dhe Roger Federer i janë rikthyer stërvitjes, i pari për të mbrojtur kreun e renditjes botërore dhe i dyti në kërkim të saj. Ata janë respektisht numrat 1 dhe 2 në botë, ndërkohë që për herë të parë në karrierën e tyre luajtën së bashku në turneun e zhvilluar në Pragë, ku dhe fituan ndaj dyshes amerikane Sock/Querrey. Kjo paraqitje ka ngacmuar disi tenistin zviceran Roger Federer për të provuar të luajë sërish me Nadal në të ardhmen në lojën dyshe.
Ka qenë vetë Federer që ka pranuar se për të nuk do të ishte aspak problem të përsëritë këtë eksperiencë me rivalin e tij më të madh, por këtë herë jo në një event miqësor por në një turne zyrtar: Në turnetë Masters apo edhe në grand sleme. Madje ideja është që në lojën dyshe, Federer e Nadal të luajnë së bashku në një nga grand slemet e 2018-ës, ndërkohë që paralelisht do të jetë rivalë në fushë, në lojën teke. Për momentin kjo mbetet një ide, por që mund të realizohet, ndërkohë që në turneun e radhës, atë të Shangait, ata do të jenë sërish rivalë.