Tenistët Rogjer Federer dhe Serena Uilliams kanë fituar çmimet Laureus si “Sportisti dhe Sportistja më e mirë e vitit”, vlerësime që u dhanë të martën në mbrëmje në Montekarlo, gjatë një evenimenti gala të organizuar nga “Laureus World Sports Awards” (njihet ndryshe si çmimet Oskar të sportit). Federer mposhti në këtë garë ikona të tjera të sportit si Kristiano Ronalo, Rafael Nadal, Mo Farah, Kris Froome dhe Luis Hamilton. Një vlerësim i merituar për tenistin zviceran, që është rikthyer numri 1 në botë pak ditë më parë në moshën 36-vjeçare. Për Federer kjo është hera e pestë që e fiton këtë trofe, si asnjë sportist tjetër (e ka fituar 4 vite radhazi, 2005-2008). Jo vetëm kaq, por Federer mori edhe një tjetër çmim, atë të “Rikthimit Triumfues në Sport”, teksa gjatë 2017-ës fitoi dy grand sleme në moshën 35-vjeçare. Për tenisten amerikane Serena Uilliams kjo është hera e katërt që e fiton këtë çmim (2003, 2010, 2016 e 2018), një sportiste ikonë në sportin e tenisit, një frymëzim për të gjithë, që vjet u bë edhe nënë. Ajo mposhti në këtë garë Allyson Feliks, Katie Ledecky, Garbine Muguruza, Caster Semenia dhe Mikaela Shiffrin. Derisa, “Skuadra e vitit 2017” është vlerësuar makina gjermane “Mercedes”, kampione e botës në Formula 1, ndërsa sportisti Marsel Hug fitoi çmimin Laureus si “Sportisti Paraolimpik i vitit”.
Një trofe karriere mori edhe ish-futbollisti italian Françesko Toti, që u largua nga sporti në maj të 2017-ës, pas një karriere të gjatë me Romën. Ndërsa, skuadra braziliane e Çapekoense mori trofeun e “Momenti i Vitit”, si kampionët e përjetshëm në sport, pas aksidentit tragjik me avion dhe rikthimit në sport pas disa muajsh. Çmimi Laureus si “Sportisti Frymëzues” shkoi për lojtarin e futbollit amerikan JJ Uatt