Bujar KURTAJ
Shkup, 23 dhjetor – Skuadra e FC Shkupit tani mundë të themi se gati e ka zyrtarizimin e sponsorit të ri, i cili pritet të martën në konferencë për shtyp të bëjë publike të gjitha detajet rreth menaxhimit me një nga klubet me të vjetra në vendin tonë. Pikërisht në fund të dhjetorit, FC Shkupi do të kremtojë edhe 90- vjetorin e themelimit, ku me një koktej rasti do të marrin pjesë veteranë të këtij klubi, futbollistë që në të kaluarën shënuan rezultatet historike duke e shpallur FC Shkupin tri herë kampion shtetëror dhe tri herë fitues të Kupës së Maqedonisë. Sigurisht se në këtë takim jubilar do të marrin pjesë edhe shumë fytyra publike, politikan, artist dhe punëtor sporti. Manifestimi është paralajmëruar të mbahet të martën me 26 dhjetor me fillim në orën 17:00.
“E mira e gjithë kësaj që në këtë përvjetor të madh të klubit po vjen edhe sponsori i ri, i cili pikërisht të martën do të shpalos dhe planet se si do të menaxhohet me klubin dhe se cilat janë planet që Shkupi të rikthehet në vitet kur ishte skuadër pa konkurrencë në kampionatin vendor. Sa i përket përvjetorit, do të jetë një ceremoni modeste duke u përkujtuar në momentet më të mira të Shkupit që nga themelimi, ku pritet të flasin veteran të klubit, futbollistë të cilët në të kaluarën e afërt i sollën titujt kampion, por gjithsesi nuk do të mungojnë edhe fytyra publike, siç janë artistë të ndryshëm politikan dhe punëtor sportiv e gazetar”, deklaroi për gazetën KOHA, zëdhënësi i këtij klubi Hajrush Mani.
Cekim, FC Shkupi kohët e fundit edhe pse me probleme financiare ka mbetur të jetë një ndër klubet më të mira të kampionatit vendor, duke qenë konkurrentë i denjë.