Fitorja ndaj Pelisterit dhe barazimi pa gola mes Sileksit dhe Rabotniçkit, ka bërë që Shkupi ta sheh vetën në Evropë pas 13-të viteve, diçka që u ka munguar shumë dashamirëve dhe tifozëve më të flaktë “Shvercerat Shkup”. Pikërisht këta të fundit, pasi kuptuan rezultatin e ndeshjes në Kratovë, nuk nguruan të bëjnë thirrje për të gjithë ata që e duan FC Shkupin dhe ngjyrat e saj, që të vijnë të dielën dhe ti përkrahin lojtarët
Bujar KURTAJ
Shkup, 18 maj – FC Shkupi ka mbajtur dje stërvitjen e radhës në stadiumin në Çair, nën drejtimin e trajnerit Zekirja Ramadani. Skuadra ka punuar më shumë në lojën e saj ku atmosfera dukej mjaftë e mirë. Në fushë ishin të gjithë lojtarët që dukeshin të vetëdijshëm se para vetës kanë një sfidë të madhe. Cekim, Shkupi në fundjavë luan me Vardarin në ndeshjen që e vendos pjesëmarrjen në Liga Evropë. Bardhekaltërve u nevojitet vetëm fitorja, për të mos pritur epilogët nga ndeshjet tjera Rabotniçki – “Skopje” dhe Akademia Pandevi – Sileksi.
Fitorja ndaj Pelisterit dhe barazimi pa gola mes Sileksit dhe Rabotniçkit, ka bërë që Shkupi ta sheh vetën në Evropë pas 13-të viteve, diçka që u ka munguar shumë dashamirëve dhe tifozëve më të flaktë “Shvercerat Shkup”. Pikërisht këta të fundit, pasi kuptuan rezultatin e ndeshjes në Kratovë, nuk nguruan të bëjnë thirrje për të gjithë ata që e duan FC Shkupin dhe ngjyrat e saj, që të vijnë të dielën dhe ti përkrahin lojtarët. Në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, nëpërmjet një statusi, i cili më pas është shpërndarë nga shumë anëtar të saj, “Shvercerat” u bëjnë thirrje të gjithëve, duke thënë se ‘Shkupi ka nevojë për ju’.
“Shkupi ka nevojë për ju. Të nderuar ‘Shvercera’ dhe ju dashamir të KF Shkupi, ju njoftojmë se të dielën në Çair, zhvillohet xhiroja e fundit mes Shkupit dhe Vardarit, që në historinë e futbollit vendor dhe jashtë, njihet si derbi kryesor. E veçanta e derbit që zhvillohet këtë të diele është se Shkupi lufton për fitore dhe dalje në Evropë që i jep kuptim edhe më të madh këtij derbi të njohur ndërkombëtarisht. Në emër të ‘Shvercerave’ ju ftoj publikisht që të jeni në përkrahje të klubit të vetëm shqiptar në kryeqytet, si dhe publikisht ftoj mediat që së paku këtë herë ti japin mbështetje dhe së bashku të udhëtojmë drejt Evropës. Deri të dielën, çdo sekondë ka emocion, dashuri dhe krenari. Ne sundojmë Shkupin”, kanë shkruar në faqen zyrtare grupi i mirënjohur “Shvercerat Shkup”.
Derisa, me një apel tifozëve të saj nëpërmjet një video pikërisht nga ndeshja me Vardarin, ku së fundmi Shkupi e mundi në Çair me 2-0, i janë drejtuar edhe nga radhët e FC Shkupi. “Të dielën të gjitha rrugët shpien drejt Çairit. Eja edhe ti i duhesh Shkupit”, titullohet videoja prej më shumë se një minutë. Ndeshja ndërmjet Shkupit dhe Vardarit zhvillohet të dielën në ora 16.30.