Shkup, 14 dhjetor – Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu në pres konferencën e sotme e prezantoi propozim buxhetin e Ministrisë për vitin 2018-të. “Ministria për vetëqeverisje lokale për vitin e ardhshëm buxhet propozon buxhet në shumë të përgjithshme prej 443 milion e 594 mijë denarë, me të cilin i ka reduktuar maksimalisht shpenzimet joproduktive dhe të paarsyeshme. Në llogari të kësaj, investojmë në projekte për zhvillim të barabartë rajonal që do të stimulojë zhvillim të rajoneve planore, zonat me nevoja specifike zhvillimore dhe fshatrat”, theksoi ministri Fazliu.
Mjetet për projekte për zhvillim të barabartë rajonal në vitin 2018, vetëm në buxhetin e Ministrisë për vetëqeverisje lokale janë rritur me mbi 60 për qind, nga 131 milionë në 211 milionë denarë, ose 80 milionë më shumë se buxheti i vitit 2017. Nëse merren parasysh edhe mjetet nga buxheti i Byrosë për zhvillim rajonal, organ në përbërje të Ministrisë, tha Fazliu, fjala është për rritje prej 100 milionë denarë ose rreth 70 për qind më shumë mjete për projekte të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e rajoneve, në përputhje me nivelin zhvillimor.
Në projekt buxhet janë planifikuar edhe 125 milion denarë për përfundimin e punëve për ndërtimin e Sheshit “Skënderbeu”. Ministria për vetëqeverisje lokale do të investojë edhe në projektet për bashkëpunim ndërkufitar. Në buxhetin e vitit 2018 është planifikuar të financohen 40 milionë denarë për bashkë-financim, të financuara nga Programi IPA i Bashkimit Evropian. Për nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitarë dhe zhvillimin e rajoneve kufitare, Ministria për vetëqeverisje lokale i siguron mjetet për bashkë-financim në vlerë prej 15 për qind për çdo projekt të miratuar, pavarësisht se bartës i projektit është komuna, organizatë joqeveritare, universitet apo subjekti tjetër jofitimprurëse.
Gjithashtu, 3 milion denarë janë parashikuar për implementimin e planeve aksionale lokale në njësitë e vetëqeverisjeve lokale, të cilat janë përgatitur në bazë të strategjisë për romët në Republikën e Maqedonisë, me çka Ministria për vetëqeverisje lokale do të mbështesë komunat në masat për gjithë përfshirje sociale për grupet me nevoja të veçanta.
-Në përgjithësi, buxheti i Ministrisë për vetëqeverisje lokale për vitin 2018 është stimulues dhe zhvillimorë në drejtim të zvogëlimit të dallimeve zhvillimore ndërmjet rajoneve planore, qasje uniforme ndaj shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në të gjitha komunat, theksoi ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu.