Shkup, 1 qershor – Iu bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente në shtet që të identifikojnë ku ka mosrespektim të ligjeve ose çfarëdo lloj keqpërdorimi të institucioneve, të bëjnë analiza dhe të dalin me dëshmi konkrete para opinionit, porositi sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu.
“Iu bëj thirrje që këtë ta bëjnë jo vetëm për mua, por edhe për anëtarët e familjes sime dhe ta informojnë opinionin se a ka ndonjë i cili në 30, 50 ose 100 viteve i ka keqpërdorur institucionet e sistemit. Për reagimin e babait tim mund të kërkoni përgjigje nga ai, sepse ai është personalitet publik i cili normal duhet të reagojë kur në portalet publikohen tituj të shëmtuar dhe akuzoni dhe kritikoni persona pa kurrfarë dëshmish”, tha Fazliu, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Ai theksoi se mediat nuk duhet të publikojnë tituj joadekuat kur kanë indikacione për keqpërdorime, sepse, siç tha, tituj të tillë tendenciozë publikohen vetëm kur ka dëshmi të sigurta.