Shqiptarët e Maqedonisë me pjesëmarrje 30% në strukturën e përgjithshme të popullsisë, asnjëherë dhe me asnjë veprim nuk e kanë penguar shtetformimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e Maqedonisë, si shtet unitar. Ata, në çdo fazë e kanë përkrahur elitën politike maqedonase për shtetformimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin ndërkombëtar të Maqedonisë. Fqinjët, Greqia, Bullgaria dhe Serbia, Maqedonisë gjithnjë i kanë paraqitur pengesa në shtetformimin, shtetndërtimin, dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, kurse Shqipëria dhe Kosova nuk kanë kurrfarë pretendimesh dhe nuk i kontestojnë asgjë Republikës së Maqedonisë
Nga Kasam HASANI
Si çdo shtet, edhe Maqedonia ka historikun e vet për shtetformimin, shtetndëritimin, dhe konsolidimin e subjektivitetit shtetëror me specifika të veçanta. Tre elementet që merren parasysh kur flitet për historikun e një shteti, janë: territori, popullsia, dhe pushteti. Këto elemente kryesore, Maqedonia gjithmonë i ka pasur kontestuese, nga shumë faktorë, e sidomos nga fqinjët: Greqia, Bullgaria, por edhe nga Serbia. Me përfundimin e Luftërave Ballkanike, Serbia okupoi territorin e Maqedonisë së sotshme, si dhe disa territore të Bullgarisë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Maqedonia, si pjesë e Serbisë hyn në kuadër të bashkësisë mbretërore Serbo-Kroate-Sllovene (SKS),pa kurrfarë identiteti apo subjektiviteti, dhe mbetet në kuadër të kësaj bashkësie deri në Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë luftës nacional çlirimtare në Jugosllavi, në 1944-1945, udhëheqësia e partisë komuniste në Maqedoni ka qenë e përkrahur nga udhëheqës komunist të Serbisë, të cilët kanë ardhur në Maqedoni me qëllim të organizimit dhe mëkëmbjes së Partisë Komuniste dhe përgatitjes së komunisteve për kryengritje – luftë. Pas përfundimit të luftës nacional çlirimtare, respektivisht Luftës së Dytë Botërore, Maqedonia bëhet njësi e Jugosllavisë Federative dhe emërtohet si Republika Popullore e Maqedonisë, si njësi e barabartë federale me pesë Republikat tjera, që gjithashtu ishin në përbërje të Federatës Jugosllave.
Në kuadër të Federatës Jugosllave, Maqedonia ka qenë në aleance (vazale) me Serbinë, që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në politikat e Maqedonisë dhe shumë çështje politike janë përgatitur ose porositur nga Beogradi, respektivisht Serbia. Ndër këto çështje, dy kanë qenë kryesore: 1. Pushteti i Maqedonisë të vazhdojë avazin e vjetër të Serbisë lidhur me shfarosjen, dëbimin, asimilimin dhe përbuzjen e shqiptarëve në Maqedoni; 2. Pushteti i Maqedonisë të krijojë urrejtje permanente ndaj popullatës bullgare dhe gjithçkaje që është në lidhje me historinë, kulturën, gjuhën dhe shtetin bullgar.
Republika Popullore e Maqedonisë këto urdhëresa, porosi, dhe kërkesa te Serbisë i ka zbatuar me përpikmëri. Kështu për shembull, Maqedonia ndërmori masa që shqiptaret, por edhe popullata tjetër myslimane me të madhe të shpërngulen për në Turqi gjatë periudhës 1953 -1959. Shkupi u bë qendër administrative ku rregullohej dokumentacioni (vestikat) për shpërnguljen për në Turqi, dhe atë jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe ata të Kosovës, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, popullatës myslimane nga Sanxhaku, etj.
Në territorin e Maqedonisë, kanë banuar tradicionalisht shqiptare të konfesionit mysliman me shumicë, por edhe të konfesionit ortodoks, kurse shumë pak të konfesionit katolik, si dhe popullatë sllave: bullgarë dhe serb. Shqiptarët kanë jetuar në pjesën perëndimore ku ka pasur edhe pjesëtarë me prejardhje serbe apo bullgare, kurse në pjesën lindore kanë dominuar popullata sllave, bullgare.
Deri në vitin 1945, popullata me prejardhje sllave haptas janë deklaruar si bullgare apo serbe, varësisht nga përkatësia e tyre. Pas vitit 1945 popullata që u gjind në territorin e Maqedonisë, thuajse krejtësisht u regjistrua si popullate maqedonase. Mirëpo, vlen të përmendet edhe pjesa jugperëndimore e banuar me shqiptarë ortodoks, si fshatrat e Rekës së Gostivarit, Galiçniku, vendbanime të komunës së Dibrës, madje edhe në Shkup, dhe vendbanime tjera të Komunës së Kërçovës, etj., që gjatë viteve janë detyruan të asimilohen, dhe të deklarohen si popullatë maqedonase. Kjo popullatë u asimilua për shkak të privilegjeve dhe benificioneve të ndryshme që pushteti u ofronte këtyre, duke u nisur nga ajo se ata janë të konfesionit ortodoks sikurse edhe maqedonasit. Privilegjet kanë qenë nga më të ndryshmet, si: punësimi dhe avancimi në vende pune, shkollimi, marrja e bursave, dhënia e banesave shtetërore në shfrytëzim, etj. Për asimilimin e shqiptareve ortodoks ndikim negativ kanë pasur edhe shqiptarët e konfesionit mysliman që nuk i kanë përkrahur shqiptarët ortodoks në asnjë aspekt. Përveç se i kanë llogaritur si “shkije”, “kaur”, nuk kanë pranuar as të lidhin marrëdhënie martesore me njeri tjetrin, ngase nuk kanë bërë dallim midis fesë dhe kombit, por janë nisur nga ajo se shqiptarë janë vetëm myslimanët.
Shqiptarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë mundur t’i realizojnë as të drejtat dhe liritë elementare në Maqedoni, si p.sh: nuk kanë pasur të drejtë të përdorin gjuhën e tyre amtare në institucione shtetërore, nuk kanë mundur të shfrytëzojnë flamurin dhe simbolet tjera kombëtare, nuk kanë pasur shkolla në gjuhën shqipe, përveç të arsimit fillor, por në disa vendbanime p.sh. në disa fshatra tëVelesit, fëmijët deri vonë janë shkolluar në gjuhën maqedonase, kurse fëmijët e dy fshatrave tëterritorit të Shkupit detyrohen të shkollohen edhe sot në Kosovë, duke kaluar çdo dite kufirin shtetëror, për shkak tëmos ndërtimit të shkollës në ato fshatra.
Gjatë dhe pas luftës nacional çlirimtare, janë vrarë dhe zhdukur me mijëra shqiptare në vendbanime të ndryshme në Maqedoni nga ana e pushtetit, me motivacion të rrejshëm se kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorit, se do të ishin të rrezikshëm dhe të dëmshëm për sistemin e ri politik, etj. Këto vrasje janë realizuar pa mbajtur gjykim apo dënim. Kjo metodë e vrasjes dhe zhdukjes së shqiptarëve është kopjuar nga Serbia, e cila në projekte të përgatitura nga institucionet përkatëse ka paraparë që lufta dhe periudha e pasluftës të shfrytëzohen si pretekst për vrasjen e pakicave. Shqiptarët e Maqedonisë u janë nënshtruar të gjitha torturave të organeve të sigurisë si p.sh:Aksioni i grumbullimit të armëve nga shqiptarët, dërgimi i shqiptarëve nëpër fronte të ndryshme si “Rasti i Tivarit”, “Fronti i Sremit”, etj., në të cilët shqiptarët janë dërguar nga ana e pushtetit gjoja në luftë, me qëllim që të vriten e të mos mbeten gjurmë, por vetëm të regjistrohen si “të rënë në luftë-front”.
Pas përfundimit të luftës nacional çlirimtare, shqiptarët e Maqedonisë, nga ana e pushtetit janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë. Ata kanë qenë të përbuzur dhe nënçmuar duke përdorur edhe gjuhën e urrejtjes. Kjo urrejtje ka qenë në vazhdimësi, kurse kulminacioni i kësaj e ka ardhur në shprehje me rastin e botimit të Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave të Maqedonisë ku shqiptarët trajtohen si egërsira, se janë ardhacakë, të pa emancipuar, të papastër, etj. Për këto arsye kanë reaguar edhe shumë institucione e intelektual shqiptar, e për shkak të këtyre reagimeve u vendos që Enciklopedia të asgjësohet dhe të punohet në enciklopedi të re, gjë e cila nuk ndodhi dhe i tërë botimi u shit.
Sa i përket çështjes bullgare, Republika Popullore e Maqedonisë gjithashtu nën ndikimin e Serbisë ka filluar propagandën se në Maqedoni nuk jeton asnjë bullgar. Pushteti i ka ndaluar që të deklarohen si të tillë, dhe se populli maqedonas nuk ka kurrfarë lidhje me historinë, gjuhën, dhe kulturën bullgare, etj. Përdorimi i nocionit “bullgar” në kuptim të kombit, në Maqedoni është trajtuar si fyerje ose shpifje, dhe është trajtuar si kundërvajtje ose vepër penale. Përkundrazi nëse dikush deklarohej si serb, është konsideruar si krenari dhe ata maqedonas janë privilegjuar nga ana e pushtetit dhe shpeshherë janë rekrutuar dhe avancuar për detyra dhe funksione të ndryshëm në institucionet Federative. Në evidencat statistikore të strukturës së popullatës – është fshirë grafi “bullgar”, kurse nëpër institucione dhe arkiva shtetërorë është shlyer ose asgjësuar dokumentacioni me përmbajtje bullgare, gjë të cilën së fundi e kanë pranuar edhe ish-udhëheqës dhe funksionarë të Republikës së Maqedonisë. Për më tepër, Bullgaria gjithnjë ka potencuar të dhënat historike për shtetin bullgar, popullatën bullgare në Maqedoni, mosekzistimin e kombit maqedonas dhe gjuhës maqedone, dhe se të gjithë këtë e ka bërë Serbia për shkak të okupimit të më hershëm të territorit të Maqedonisë. Është zhvilluar teza se në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur bullgarë dhe se në atë territor çdo herë ka jetuar popullatë me kombësi maqedonase. Pra, bullgarët, ngjashëm sikurse shqiptarët ortodoks në Maqedoni, u “avulluan”, respektivisht u asimiluan në Maqedoni. Për këto arsye Bullgaria dhe Jugosllavia Federative gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të tendosura diplomatike. (vijon nesër)
(Autori është ish-Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup)