Dokumenti i Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe i cili dokument është mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, është dokument që përmban të gjitha koncesionet e mëdha, që i ka bërë Kosova në raport me Serbinë, në procesin e negociatave në Vjenë për statusin final të Kosovës, gjatë viteve 2006-2007. Kështu vlerësojnë zyrtarë të partive politike të pushtetit dhe opozitës, të cilët kanë qenë pjesë e këtij procesi, si dhe njohësit e së Drejtës Ndërkombëtare.
Megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme nëse dokumenti, të cilin e kishte ofruar Marti Ahtisaari, drejtuesi i treshes ndërkombëtare ndërmjetësuese, SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, është “vija e kuqe” e kompromiseve, përtej të cilave Kosova nuk mund të kalojë në negociatat e ardhshme me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ishte pjesë e procesit negociator të Vjenës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se kompromiset që i kishte bërë Kosova në atë proces, kishin për bazë premtimet e bashkësisë ndërkombëtare se ato do të jenë kompromiset e fundit dhe se dokumenti do të kalonte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara edhe me pëlqimin e anëtareve që kanë të drejtën e vetos, sikurse Rusia dhe Kina.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili kishte marrë pjesë gjatë gjithë procesit të Vjenës, thotë për Radion Evropa e Lirë, që kompromiset eventuale në një marrëveshje me Serbinë, të cilat do të ishin jashtë përmbajtjes së Dokumentit të Ahtisaarit, do të nënkuptonin prekje të statusit të Kosovës.
Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Dokumenti i Ahtisaarit është shkalla e fundit e kompromiseve që ka bërë pala e Kosovës në procesin negociator në Vjenë, për zgjidhjen e problemit me Serbinë.