“Rastet sociale janë më të përpiktë në pagesat e faturave ndaj ndërmarrjes. Janë kategoria e mesme që nuk paguajnë. Kemi edhe pensionistë që janë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve, kurse kemi edhe subjekte juridike që nuk paguajnë”, tregon drejtori i ndërmarrjes publike në Tetovë, Xhelal Ceka
Urim HASIPI
Tetovë, 12 nëntor – Niveli i pagesës së shërbimeve komunale në Tetovë nuk e kalon 38 përqindëshin. Kjo bëhet e ditur nga drejtuesit e Ndërmarrjes Publike Komunale prej nga thonë se burimi i vetëm i mbijetesës është pikërisht rregullshmëria e pagesës së faturave, të ujit, mbeturinave dhe kanalizimit. Prej se është themeluar, qytetarët i kanë borxh kësaj ndërmarrje rreth 10 milionë euro. Nga kjo ndërmarrje pohojnë se duhet që qytetarët të jenë më të rregullt në shlyerjen e borxheve, shkruan gazeta KOHA.
“Është për keqardhje, sepse pagesat për detyrimet në një muaj arrijnë në rreth 38 për qind, që është përqindje shumë e vogël, ngase ndërmarrja nuk arrin të mbulojë obligimet e veta për shkak të mospagesës nga ana e qytetarëve. Nga moment i themelimit të ndërmarrjes deri në këto moment, qytetarët i kanë borxh ndërmarrje rreth 10 milionë euro, që është një shumë jashtëzakonisht e madhe. Që kjo ndërmarrje të mos ketë telashe as me rrogat e punëtorëve dhe as me mirëmbajtjen e qytetit, do të kisha lutur qytetarët të jenë pagues më të rregullt”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, Xhelal Ceka. Autoritetet e kësaj ndërmarrje pohojnë se faturat nuk janë të larta dhe janë të përballueshme për qytetarët, përderisa në institucione tjera presin radhë për të paguar.
“Është e pakuptueshme që tek EVN-ja presin radhë që të paguajnë faturat e rrymës, ndërsa tek ndërmarrja jonë, edhe pse u kemi mundësuar që në secilën bankë, çdo qytetarë të mund të paguajë pa provizion bankar, kemi edhe pagesën online, kjo nuk po ndodhë. Pagesa është shumë e vogël, ndërsa vlerësoj se para një apo dy vitesh, ankesa ishte se nuk ka ujë, kurse tani kjo ankesë nuk qëndron. Një faturë për një familje është shumë simbolike, pra diku rreth 10 euro, por megjithatë ata nuk janë duke e paguar. Prandaj, do të kisha lutur qytetarët që të paguajnë faturat, sepse kjo ndërmarrje mbijeton nga pagesat e qytetarëve, pasi burime tjera nuk kemi. Pagesat e rregullta njëkohësisht do të mundësonin që të ngrisim nivelin e shërbimeve tona”, deklaroi drejtori Ceka.
Ai ka informuar se pagues më të rregullt janë rastet sociale dhe pensionistët, ndërsa kategoria e mesme dhe subjektet juridike, nuk i paguajnë shërbimet rregullisht.
“Nuk ka të bëjë me raste sociale, sepse rastet sociale janë më të përpiktë në pagesat e faturave ndaj ndërmarrjes. Janë kategoria e mesme që nuk paguajnë. Kemi edhe pensionistë që janë më të rregullt në shlyerjen e detyrimeve, kurse kemi edhe subjekte juridike që nuk paguajnë. Ndërmarrja ka ndërmarrë disa veprime me anë të bordit, që qytetarëve të cilët kanë borxh më të vjetër se 10 vite, t’u jepen disa mundësi, por shlyerja e borxheve të vjetra nuk varet nga ne, por nga ana e Këshillit të Komunës së Tetovës. Megjithatë, do të ishte e logjikshme që qytetarët të paguajnë shërbimet që ndërmarrja i kryen. Në një ditë grumbullojmë 180 ton mbeturina dhe në ditë sanojmë diku 4 apo 5 defekte në rrjetin e ujësjellësit, me qëllim që të mos mbeten qytetarët pa ujë më shumë se 10 apo 12 orë”, shprehet Ceka. Ndryshe, në Tetovë, duke përfshirë edhe ujin edhe grumbullimin e mbeturinave, për një familje katërantarëshe fatura është 700 denarë. (koha.mk)