Edhe pse parashikimet mbeten të vështira, dhe akoma do të jemi nën kërcënimin më të madh apo më të vogël ekonomik dhe shëndetësor nga pandemia, megjithatë presim që me normalizimin gradual të situatës shëndetësore në rajon dhe Evropë, ngadalë në muajt e verës ti kthehemi përditshmërisë së dikurshme, edhe pse me një kujdes më të madh për shëndetin, me aq sa dimë dhe mundemi
Nga Fisnik PASHOLLI
Një vit pas pandemisë, që akoma nuk ka përfunduar – mund të numërojmë faturën e lartë të saj në më shumë sfera. Mesi i muajit mars të vitit të kaluar shënoi një kthesë të madhe në jetesën e përditshme, sfida dhe telashe të mëdha të funksionimit si për njerëzit e zakonshëm, por edhe për institucionet që duhej të përgatiteshin dhe përshtaten hap pas hapi edhe të veprojnë dhe punojnë në kushte të jashtëzakonshme. Tani po hyjmë në vitin e dytë të jetesës nën kushte të reja që imponon pandemia, lufta për ta vënë virusin nën kontroll dhe rikthimin e ngadalshëm dhe të vështirë të jetës në normalitet.
Në programet për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët u ndanë mbi 1 miliardë euro, për të cilat pati edhe kritika për mënyrën dhe vonesat e realizimit, shumat për të ndihmuar afaristët ishin objekt debatesh, dhjetëra mijë punëtorë mbetën pa punë, u mbyllën me mijëra biznese, u thellua varfëria…. Dhe në total, faturën po e paguan ekonomia dhe biznesi që në fund të fundit – edhe përbëhet nga njerëzit, kështu që faturimi në fund do ti shkojë qytetarit të thjeshtë, kujt më pak e kujt më shumë. Shikuar vetëm në aspektin e arkës së shtetit, të gjashtë pakot e ndihmave ekonomike, minusi në të ardhura, gropa e shkaktuar prej afër 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, vështirësitë e mëdha që të paguhen me rregull pensionet dhe pagat e administratës, shëndetësisë, policisë, ushtrisë, arsimit…, dhe vazhdimi me punë edhe i projekteve të ndryshme infrastrukturore, rritja e harxhimeve shëndetësore, në fund do të rrisin edhe më shumë borxhin publik, ndërsa do të krijohen telashe për mbarëvajtjen e proceseve ekonomike në vend.
Në një kohë krize për hir të së vërtetës, jo që nuk u zvogëluan pagat që askush nuk e dëshiron si masë tejet ekstreme, por u vazhdua me pagesën e rregullt të të punësuarve që marrin paga nga arka e shtetit. Megjithatë, nga ana tjetër, një pjesë e të punësuarve në sektorin privat janë ankuar për mbijetesën e bizneseve të tyre, për uljen në minimum apo edhe afër zeros së qarkullimit të firmave të tyre, përkrahjen e pamjaftueshme nga ana e shtetit, ndihmat që nuk mjaftonin për të ruajtur punën dhe vendet e punës… Sido që të jetë, shteti nuk posedon një shkop magjik për të zgjidhur problemet. Me siguri se në sektorë të ndryshëm – ndihma ka mundur të jetë më e madhe, diku ka qenë e vonuar, e ndoshta nevojitej që të ketë rritje të borxhit të shtetit për të ndihmuar më shumë biznesin.
Mirëpo tani shtrohet çështja se çka na pret në të ardhmen? Vijon debati për rritjen apo jo të një pjesë të tatimeve, dhe si do të sigurojë shteti më shumë të ardhura në arkë. Kriza nxori në sipërfaqe edhe problemet e funksionimit të shëndetësisë, arsimit dhe administratës që janë avancuar pjesërisht, mirëpo nevojiten të përmirësohen edhe më tej. Do të rritet kërkesa për një shkollë të shekullit 21 që do të aftësojë dhe përgatit nxënësit që më të mos mësojnë përmendësh mësimet, por të kenë një kreativitet dhe shkrim-këndim më të qartë. Shtrohet edhe nevoja për nxjerrjen sa më të madhe të dokumenteve të ndryshme në mënyrë online, për më pak sorollatje nëpër sportele për biznesin dhe qytetarët dhe për një shëndetësi ku edhe punëtorët shëndetësor, do të jenë të kënaqur me ambientin dhe kushtet e punës, por edhe pacientët do të fitojnë shërbime më cilësore shëndetësore.
Kthimi në një normalitet të nuk do të jetë aspak i lehtë dhe do të zgjasë edhe disa vite. Presim që muajt në vijim, të kemi lajme të mira për vaksinimin e qindra mijë qytetarëve, dhe gjallërimin gradual të ekonomisë dhe biznesit. Edhe pse parashikimet mbeten të vështira, dhe akoma do të jemi nën kërcënimin më të madh apo më të vogël ekonomik dhe shëndetësor nga pandemia, megjithatë presim që me normalizimin gradual të situatës shëndetësore në rajon dhe Evropë, ngadalë në muajt e verës ti kthehemi përditshmërisë së dikurshme, edhe pse me një kujdes më të madh për shëndetin, me aq sa dimë dhe mundemi. (koha.mk)