Albumet në kohë si këto kur trendi është publikimi i klipeve dhe këngëve single (vetëm) janë të pakta dhe sillen si publikime vetëm nga këngëtarë që theks nuk kanë komercialitetin por muzikën e gjallë dhe të vërtetë. Kështu, edhe këngëtari i mirënjohur nga Gjilani, Fatmir Morina sjell një album me këngë live, plot 15 të tilla duke e kompletuar tablonë e synimeve për 2020 të këngëtarit aq të dashur për publikun që e ka dëgjuar qoftë edhe një herë duke kënduar live! Në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA, ai tregon mbi albumin dhe karrierën e tij
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Fatmir, albumi i fundit që ke publikuar është me këngë popullore, po ecën mirë në tregun muzikor? Si u bërë bashkë me mjeshtrat e muzikës popullore më të njohurit mund të themi në Shqipëri por edhe më tej..?
Po, këtë projekt e publikuam me datë 7 mars 2020 dhe mund të them se është mirë duke u parë, klikuar dhe pëlqyer bazuar nga kolegët dhe gjithë ata që më shkruajnë dhe më përgëzojnë! Sa i përket faktit se si u bëra bashkë me mjeshtrit më të mirë të Shqipërisë, mendoj se puna, marr parasysh se unë qysh nga viti 2001 kam kënduar nëpër lokalet bregdetare të Shqipërisë pastaj dhe kam filluar edhe bashkëpunimet me muzikante të Shqipërisë si nëpër mbrëmje muzikore, dasma, ahengje, si në pjesën më të madhe të Shqipërisë po ashtu edhe në gjithë Kosovën po ashtu edhe nëpër Europë!
KOHA: Çfarë pretendimesh ke për këtë album, sepse nga klikimet duket që janë pëlqime reale?
Po si çdo këngëtar dhe unë kur punon dhe i ofron publikut një projekt pretendimet janë në radhë të parë të pëlqehen sa më shumë dhe të dëgjohen pasi që këto janë këngë popullore të vjetra shqiptare dhe kanë një vlerë të veçantë brenda tyre si kuptimi i tekstit ashtu dhe i melodisë!
KOHA: Pse u vonua kaq shumë ardhja e këtij albumi?
Po në fakt na ka marrë kohë të gjatë derisa e kemi finalizu duke pasur parasysh se në këtë projekt janë 4 potpuri me gjithsej 15 këngë dhe i kemi punuar me një përkushtim të veçantë sepse kemi dashur t’i sjellim sa më origjinale. Këto janë këngë shumë të vjetra po ashtu gjithë punën e kemi bërë në Gjilan. Duhet mbajtur parasysh se gjysma e muzikantëve që kanë marrë pjesë janë nga qytete të ndryshme, Sopot Serica që ka udhëheq projektin është nga Elbasani, mjeshtri madh Shaban Çela nga Tirana, Artur Yzeiri nga Tirana, plus që të gjithë kë mjeshtra kanë qenë me angazhime të shumta në vend dhe jashtë vendit dhe ndonjëherë ishte e pamundur që të mblidheshim të gjithë në një kohë po falë Zotit shkoj mbarë e mirë gjithçka!
KOHA: Sipas teje, cila është rruga më e sigurt drejt suksesit?
Punë sa më shumë e fjalë sa më pak ose fare fare, (buzëqesh) korrektësi, kulturë në muzikë kur performohet, dhe publikut t’i ofrohet sa më shumë këngë dhe muzikë me kuptim!
OHA: Në ç’gjendje të fut kënga, ajo popullore në rastin tënd kur e interpreton?
Me sa duket një fjalë e vjetër popullore është e saktë! Shumë herë më drejtohen me “ju këngëtarët nuk plakeni kurrë! (Qesh) E mendoj ndonjëherë se kanë të drejtë se me të vërtetë është një emocion kur përformon sikur edhe po pate një breng apo një mërzi e mbyt me kënge e me adrenalinë pozitive!
KOHA: Kush mendon se e dëgjon muzikën tënde?
Unë jam një këngëtar që i takoj një kategorie këngëtarësh që performojmë live dhe në fakt fokusohem sa herë që aty për aty të kënaqen njerëzit dhe të mbushen shpirtërisht me të kënduarin dhe me muzikën që i ofroj. Këngët dhe videoklipet e mia nuk janë në grupin komercial dhe realisht trendi i shoubizit është përqendruan në diçka tjetër!
KOHA: Ty vetë, çfarë të frymëzon?
Frymëzim më japin tekstet, fjalët në këngë, gjithashtu meloditë dhe kryesorja kur jam në përformancë me instrumentistë që janë mjeshtra të veglave pastaj kur performon në lokale, dasma, klube atmosfera që ndodh të frymëzojë se gjitha herët është ndryshe!
KOHA: Sipas teje, çfarë ka më shumë rëndësi në jetë?
Shëndeti, harmonia në familje dhe të jesh njeri i drejtë!
KOHA: Çfarë relatash ke me këngëtarët e tjerë?
Relata të shkëlqyeshme me të gjithë dhe jam tip shumë bashkëpunues e iniciator i bashkëpunimeve për të kënduar në ato vende ku këndoj si mbrëmjeve, dasmave e kështu me radhë!
KOHA: Si ndihesh pas çdo vlerësimi në koncerte apo mbrëmje të ndryshme ku je i ftuar?
Me të thënë të drejtën unë sa herë ndihem mirë sepse si fillim di ku të shkoj dhe sigurisht di se ku e kam vendin dhe patjetër që në fund ndihem mirë unë dhe gjithë ata që janë në atë vend!
KOHA: Të kënduarit live në lokalet e natës, më duket shumë e lodhshme. A ia vlen të bësh një punë të tillë në Kosovë, Shqipëri? Vlerësohet sa duhet?
Po, është gjë e lodhshme s’është e lehtë se ke të bëjë me shumë njerëz aq më tepër thuajse shumica me alkool dhe normale që duhet kujdes në veçanti se si këngëtar që je duhet të kuptosh misionin tënd se atë natë duhesh me qenë argëtues për të gjithë dhe nëse i mban këto parametra atëherë do të jesh i vlerësuar pa dyshim!
KOHA: Nëse përballë do të kishe veten, cilën pyetje do t’i bëje të parën dhe cilën nuk do t’ia bëje kurrë?
Ah, pyetje e bukur. Nuk e kam menduar ndonjëherë! Tani që më pyete do ta mendoj dhe do ta them në intervistën tjetër, (buzëqesh).
KOHA: Do të të shohim me bashkëpunime në të ardhmen, kujtojmë bashkëpunimin me Muharrem Ahmetin që rezultoi mjaft i suksesshëm, apo do të vazhdosh solo?
Deri tani unë kam pas 2 bashkëpunime vite më parë, një me një këngëtare këtu nga Kosova Dilën, një tip kolazhi popullor dhe një me Muharrem Ahmetin që titullohet “Na shkoj jeta me marak” kjo këngë është pëlqyer dukë pasur parasysh se nuk është këngë komerciale ashtu dhe videoklipi mjaft i realizuar dhe unë jam i kënaqur që arritëm ta realizojmë ashtu siç deshëm! Tani jam duke përgatit një këngë kompozuar dhe aranzhuar nga maestro Ervin Gonxhi me tekst të Rozana Radit kjo do të vijë së shpejti në bashkëpunim me një këngëtare që s’do t’ja them ende emrin dhe për momentin ta lëmë enigmë. Kam disa plane së shpejti edhe për disa kovera!
KOHA: Në fund, do të shtosh ndonjë gjë që na ngeli pa thënë?
Besoj se për kësaj here e lemë me kaq!Të falënderoj ty në veçanti për këtë intervistë, redaksinë tuaj “dhe gjithë stafin tuaj!! Ata që pëlqejnë muzikën time i falënderoj dhe shpresoj të sjell këngë që do t’i pëlqejnë edhe në vazhdim!