Lajme të këqija nga infermieria e Juventusit për Weston McKennie-n. Mesfushori amerikan kërkoi të zëvendësohej në minutën e 80-të në takimin e Villarrealin në Champions, sfidë e cila përfundoi 1-1, pasi u dëmtua në një duel me ekuadorianin Pervis Estupinan.
Ish-i Schalke 04 qëndroi disa minuta i shtrirë në tokë mes dhimbjesh, para ndërhyrjes së stafit mjekësor të Juventusit. Më pas erdhi zëvendësimi me Denis Zakaria.
Goditja në këmbë i shkaktoi dhimbje të forta në kyçin e këmbës Weston McKennie-t, i cili nuk arriti ta përfundonte ndeshjen, ai u largua nga fusha i ndihmuar nga stafi mjekësor i bardhezinjve.
Në fund të garës, McKennie iu nënshtrua ekzaminimeve të nevojshme, që zbuluan thyerjen e metatarsit të dytë dhe të tretë të këmbës së majtë. Një dëmtim që mund ta detyrojë mesfushorin amerikan të ndalojë deri në dy muaj jashtë.