Fatjoni është një djalë emri dhe fytyra e të cilit e bë e njohur nga pjesëmarrja e tij në shumë programeve televizive. Ai tanimë ka marrë edhe një tjetër simpërmarrje, të qenit pjesë e një filmi mjaft të bukur, një film i cili këto ditë ka pasur edhe premierën e tij “Djemtë e rrugës 30”. “Filmi flet për një qytet në dukje të qetë, jetën e një çifti të dashuruar dhe dy bandave rivale të cilat kontrollojnë trafikun dhe prodhimin e drogërave. Ka një ndërthurje mes të bukurës, romancës dhe realitetit shqiptar me pak dhunë e trazira. Është shumë real dhe patjetër i kohës”, thotë Fatjoni mes të tjerash, por për më shumë lexoni intervistën e tij për InfraRed të gazetës KOHA!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Së shpejti shfaqet premiera e filmit “Djemtë e rrugës 30” në të cilin luan edhe ti. Për ata që duan të dinë më shumë çfarë trajton ai?
Filmi flet për një qytet në dukje të qetë, jetën e një çifti të dashuruar dhe dy bandave rivale të cilat kontrollojnë trafikun dhe prodhimin e drogërave. Ka një ndërthurje mes të bukurës, romancës dhe realitetit shqiptar me pak dhunë e trazira. Është shumë real dhe patjetër i kohës.
KOHA: Ti vetë, si u bëre pjesë e tij?
Dëshira ishte e producentit pasi njihemi prej kohësh dhe normalisht ka vlerësuar edhe pjesëmarrjet e mia nëpër programe të ndryshme televizive. Duke qenë edhe imazh i një brand-i të njohur vendas për këtë vit si dhe paraqitja ime që sipas tyre, i përshtatej personazhit bënë te mundur që të jem pjesë e këtij projekti fantastik.
KOHA: Si do ta përcaktoje personazhin tënd?
Të them të drejtën s’ka asnjë lidhje me mua në të vërtetë përveç veshjes. Në skenar është një vrasës që i jep kthesën e madhe ngjarjeve të filmit, por edhe pse vrasja nuk justifikohet ai e bën për hakmarrje pasi një nga banditët vite më pare i ka vrarë të vëllain. Pak negativ apo jo? Ata që më njohin në jetën e përditshme e bëjnë vërtetë diferencën mes karakterit tim tejet miqësor dhe Fatjonit si ‘posh killer’ në film, (buzëqesh).
KOHA: Çfarë personifikon apo simbolizon numri 30?
Është një numër i rastësishëm. është emri i rrugës ku jeton njëra nga bandat, ajo e qytetit e cila është ana më e mirë e medaljes.
KOHA: Çfarë duhet të ketë një partnere aktrimi, që të përshtatet mirë me ty? Si duhet të jetë ajo?
As më shumë e as më pak sesa të jetë vetvetja. Partnerja ime në rol është e kundërta e preferencave të mia për femrën në jetën reale. Në të dyja rastet preferoj femrat me klas dhe patjetër të jetë shumë inteligjente.
KOHA: Ky film ju vë në qendër të një situate tipike të shoqërisë shqiptare, ngjarje të cilat ne i përjetojmë çdo ditë që në edicionin e parë të lajmeve me kronika të zeza. Si e ke përjetuar rolin? Je ndarë prej tij tani që xhirimet kanë mbaruar dhe filmi do transmetohet në kinema?
Të them të drejtën janë ngjarje të marra nga jeta e përditshme, thuhen shumë të pathëna e bëhen vizive ngjarje që i shohim apo dëgjojmë shpesh. Rolin e kam përjetuar mirë e ka pas një feedback fantastik nga të njohur e të panjohur. Kjo periudhë është vërtetë emotive pasi kam marr dhe vazhdoj të marr shumë mesazhe e komente, shumë komplimente dhe mbështetje dhe e gjithë kjo po më fut në një botë të bukur dhe shumë interesante. Filmi është ndryshe nga çdo eksperiencë tjetër dhe roli të shoqëron edhe në jetën e përditshme të paktën derisa të kalojë kjo periudha e parë dhe impakti i parë me publikun e gjerë.
KOHA: Sipas teje, cilat janë problemet me të cilat përballen të rinjtë sot në Shqipëri?
Eeh, mua s’më takon të ankohem pasi u ktheva nga një periudhë e gjatë emigracioni pikërisht për të investuar eksperiencën e marrë jashtë për vendin tim pasi njihem si patriot i madh por gjithsesi vendi po përballet me ikje të mëdha dhe kjo besoj është gangrena më e madhe e rinisë sot. Në sektorin ku unë punoj dhe në çdo sektor tjetër, besoj po e vuajmë çdo ditë e më shumë mungesën e qëndrueshmërisë dhe marrëdhënies afatgjatë me personat. Nga ana tjetër, edhe s’u vë faj pasi sinqerisht çdo njeri mendon më të mirën për veten dhe familjen në Shqipëri, Gjermani apo kudo tjetër që të ndodhet.
KOHA: Përtej asaj që shfaqet në ekran, kush është Fatjon Selimaj?
Fatjon Selimaj është një baba dhe bashkëshort i mirë, një menaxher i njohur dhe i suksesshëm në fushën e hoteleri-turizmit, një artdashës dhe një i apasionuar pas gazetarisë si pasioni më i madh dhe i vjetër i imi.
KOHA: Zakonisht, je euforik dhe të pëlqejnë lëvdatat apo është e kundërta?
Jam shume euforik dhe energjik, kam një fuqi të pashtershme në profesionin tim dhe mundohem që edhe në jetë t’a transmetoj energjinë pozitive që kam, patjetër aty ku mundem dhe kuptohem. Lëvdatat patjetër i pëlqejnë kujtdo dhe ato të motivojnë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja e kështu me radhë.
KOHA: Çfarë të frikëson më tepër në jetë?
Mungesa e dashurisë në të gjitha botëkuptimet e saj. Falë Zotit nuk e jetoj këtë frikë momentalisht.
KOHA: Ka ndikuar dikush në zgjedhjet që ke bërë në jetë apo ke qenë ti ai që ka vendosur gjithnjë?
Patjetër që vendimet merren vetëm, por familjen e kam pas dhe e kam një ndihmë të madhe dhe mbështetëse të madhe në çdo hap që kam marrë në jetë. Bashkëshortja ka qene dhe është personi që më shpëton nga lëvizjet e gabuara gjithmonë në momentin e duhur sidomos në biznes.
KOHA: Kush është personi të cilin e pyet për gjithçka në lidhje me aktrimin dhe jo vetëm…
Pyes shumë, më pëlqen të marr feedback gjithmonë, sepse vetëm kështu mund të kesh mirë çdo gje. Sa i përket aktrimit besoj që kanë qenë stafi i filmit që më kanë dhënë udhëzimet e duhura, regjisori, producenti dhe patjetër djemtë e xhirimeve që janë vërtetë profesioniste.