“Hiq dorë nga parashikimet e rreme të Fatimesë, hiq mendjen nga kandidatura për deputet…, jo pse nuk mund ta bësh, por sepse ty të mungon mendjemadhësia ose ajo hunda të cilën mund ta mbash lart a përpjetë!”, tha haxhibaba, dhe unë nuk i kundërshtova fjalët e tij!
Nga Fadil LUSHI
Miku im i dashur! Ki parasysh, nga kjo “shkarravinë” e radhës do t’i heq mënjanë të gjitha nënat, zonjat, zonjushat dhe motrat shqiptare për një arsye timen të shëndoshë dhe objektive!…, me përjashtim të gruas Fatime, asaj romes simpatike, e cila gjatë gjithë javës aty pranë xhamisë së Haxhi Et’hem Beut, të Tiranës, për ca lekë u “hedh fall” të gjithë njerëzve që nuk u sosen “hallet!” Kur para ca vitesh unë bëra atë “gjezdisjen patriotike” në kryeqendrën e Shqipërisë Londineze takova falltaren, me të cilën sa herë rastis të shihem, aq herë kërkon “lëmoshë” duke më thënë: “O ti çavo nga kasabaja e Tetovës, më fal ndonjë lek. Bëj sevap! Të paça me shnet!” Mbaj mend që asokohe përgjigjen ia ktheva në gjuhën e nënës së saj. Do të jap më shumë se ç’kërkon, me kusht nëse “fjalë-lëmoshës sate” do t’ia shtosh edhe një dëshirë timen: “Zoti të dhëntë fiqirin dhe u bëfsh deputet!?” Ndonëse edhe pas “kaq motesh nuk më doli bekimi nga parashikimi i saj i rremë”, qesh i detyruar “sërish” ta vizitoj Tiranën, me qëllim që t’i kërkoj shpjegime shtesë, se “pse nuk kam fiqirin dhe…, a mos vallë asnjëherë nuk do bëhem deputet!” Pasi u takuam, i parashtrova pyetjen: Oj motra Fatime! Pa më thuaj, ç’u bë me uratën tënde! Më dha përgjigje gjysmake: “Hë, më qafsh miku, i ka vdekë nëna kësaj pune! Harroje fiqirin dhe kandidaturën për përfaqësues të popullit në ‘Sobranie na PM’ (se nga e nxori Fatimeja këtë shkurtesë, që unë e shkrova në alfabetin latin, një dreq i mallkuar e di). Ky Edvini truplartë, trup-lidhur dhe veshur me çitjane, ma pezulloi licencën e të hedhurit fall…, sepse kur para ca vitesh, me kërkesë të tij, ia shikova filxhanin e kafesë, i thashë se në vitin 2019 Shqipëria bashkë me Maqedoninë ‘veriperëndimore’ do të futet thellë në zemrën dhe në kërthizën e sarajit të Evropës…, dhe meqë kjo nuk ndodhi, ai, në vend që fajin t’ia fuste Macronit dhe të tjerëve rrospi të tillë si ai, ma nguli mua me dredhi…, kur e pyeta se çka do të bëj tani, më tha: hiq brekushet e bardha, vish xhinset e grisura si të Muços (Mustafa Nano), dil te Sheshi “Nënë Tereza” dhe ‘kap ça të kapësh’ prej edepsëzëve e mëdhenj që rrojnë te Blloku!”
“Ditën kur u ktheva” nga kryeqendra që administrohet nga shqiptarët përtej “gardhit”, të parin që rastisa ta takoj ishte “haxhi-baba namqor!”. Ishte shndërruar i gjithi “hundë e buzë”! Unë, si “më i ri në moshë”, qesh i detyruar t’ia përcjell “selamin”, kurse ai lëre që nuk ma ktheu me gjuhën e ‘pelegrinazhit mysliman’, lëre që hiç fare nuk “ma futi”, por edhe nuk ma ‘përfilli mirëmëngjesin prej shqipfolësi!?’. Në këtë mënyrë, vepron që nga ajo e “premtja ogurzezë”, kur i iku “haxhica” (ndjesë pastë!). Më tha: “…, prej momentit që të kanë pensionuar, më dukesh si çun i përkëdhelur, më dukesh më i kthjellët në mendje dhe me surrat e zëmër të çelur!”. Që unë nuk desha t’ia kundërshtoj “mendimin ndryshe”, ia parashtrova pyetjen e radhës: Ore, qerrata, pa më thuaj se nga “të doli kjo aftësi perceptimi me veshë e me sy”…, pa më trego, mos vallë ti merresh me ‘Psikologjinë e pjekurisë dhe të pleqërisë’…, mos vallë je marrë me “tredhjen e salltanateve” të truprojeve të padishahut që “fshehurazi” u silleshin vërdallë “hanëmeve” në sarajin e tij…, mos vallë të intereson “shkenca që për objekt studimi ka problemin e çunave me sjellje të hijshme dhe me trup të bukur, njësoj si ata të Stambollit dhe të Kavajës!”. Që kur u “bezdis me pallavrat” e mia, ma ktheu: “Jo ore, as me të parën, të dytën, të tretën e as me të katërtën, ka kohë që nuk jam marrë e as që do të merrem ndonjëherë! Më thuaj, ç’të mundon!?” Mirë që të takova!? Kisha nevojë për një sqarim më të hollësishëm sa i përket zgjedhimit të foljes “fut/fus” (pavarësisht se e dija se edhe këtë “shtjellim” do ta bënte “me të futme!”). I thashë, mos vallë ke “haber”, si bëhet puna kur (nuk) ta “fut njeri!” “Ore, kjo duket fare thjeshtë…, mos u bëj merak, duhet të jesh i lumtur që askush nuk ta fut dot më!…, njësoj sikurse sot e gjithë ditën e Perëndisë, asnjeri nuk ia fut Nikollës, Ramushit dhe Kadriut, e aq më pak asaj ‘caucës’ Mogerini prej Italie!?…, të cilën Aleksandri dhe Hashimi e shkallmuan duke e puthur në buzë, në faqe, në gushë, në ballë dhe s’di në ç’vend tjetër të trupit të saj të njomë!?”. Në fund ja parashtrova edhe pyetjen: Ore, pa më thuaj, si mund të bëhem deputet!? “Kjo e të bërit deputet, është punë pa krye! Fillimisht duhet të trokasësh në derën e nënës parti, mandej do të gënjesh derëtarin e selisë së partisë…, do t’i thuash kinse të ka ftuar kryepari për t’i përcjellë ca informacione të klasifikuara…, mandej do të futesh brenda, do t’i përkulesh (“meazallah”) dhe do t’i thuash troç kinse ke ndërruar mendjen dhe shaminë e kuqe…, do të betohesh për ‘dajën si dhe për çunin që nuk bën zë më këtejpari’, do t’i thuash…, se punën do ta bësh me përkushtim ashtu alla-shqiptarçe, allafrënga po edhe allaturka…, nëse do të dojë shefi, ti asnjëherë nuk do të dalësh në foltore…, për gjysmë a për një mandat të plotë…, sa herë që ai do të ketë qejf aq herë do t’i thurësh elozhe…, e të tjera broçkulla! Hajt, dëgjoje ti haxhi-babën…, politikëbërja nuk stiset me fallet e Fatimesë, nuk bëhet me folk-patriotizëm, as me çitjanet e çunit të z. Kristaqit, si dhe me atë thënien e tij ‘kap ça të kapësh’, sepse kjo ‘kap ça të kapësh’ jo gjithmonë i nderon hajdutët e moderuar, sepse kur një ditë nuk do të kenë çka të kapin…, bën vaki që në mesnatë të dalin lugat që të kapen për herdhet e fukarait!
Prandaj, ti miku im dashur dhe shumë të tjerë si ti, hiq dorë nga parashikimet e rreme të Fatimesë, hiq mendjen nga kandidatura për deputet…, jo pse nuk mund ta bësh, por sepse ty të mungon mendjemadhësia ose ajo hunda të cilën mund ta mbash lart a përpjetë!”, tha haxhibaba, dhe unë nuk i kundërshtova fjalët e tij! (koha.mk)