Bujar KURTAJ
Shkup, 26 gusht – Edhe pse i ri, vetëm 35-vjeç Haris Fakiç është bërë një emër i njohur në botën e futbollit, sportin më të popullarizuar në botë. Nëse në karrierën e tij si futbollist nuk kishte fat për shkak të lëndimit, ai u tregua dhe po tregohet shumë i suksesshëm si skaut (përzgjedhja e futbollistëve të talentuar) ku bashkë me menaxherin më të suksesshëm ndoshta shqiptar pas Fali Ramadanit, Shkumbin Qormemeti po bëjnë nam në shitjen e futbollistëve në klube të njohura evropiane në mesin e tyre edhe futbollist shqiptar. Derisa, si rezultat i punës së suksesshme, shkupjani Fakiç nga viti 2015 është emëruar si drejtor i skuadrës më të mirë shqiptare Skënderbeu, ku në debutimin e tij të parë arriti të shpallet kampion dhe njëkohësisht të bëhen klubi i parë shqiptar, i cili ka luajtur në grupet e Liga Evropës. Përkundër këtyre sukseseve të mëdha, Fakiç është një djalë modest ku sukseset nuk e kanë ndryshuar shumë, ndërsa këtë e dëshmon edhe në intervistën për gazetën KOHA, ku nuk i fsheh ata të cilët i kanë ndihmuar në rrugëtimin e tij deri te një skaut i suksesshëm. Gjithashtu Fakiç flet edhe për karrierën si futbollist dhe arsyet për ndërprerjen e hershme të karrierës si futbollist.
KOHA: Kur lindi pasioni yt për futbollin dhe kur e kuptove që e ardhmja do i përkiste këtij sporti?
FAKIÇ: Për dallim prej të tjerëve unë jam më ndryshe se futbollistët tjerë të cilët filluan të merren me futboll, pasi unë me futboll jam marr më tepër në rrugë. Derisa, profesionalisht si pionier kam filluar në moshën 13-vjeçare, që normalisht është vonë për një talent, por unë isha i talentuar dhe kjo o vërtetua pastaj edhe me ecurinë e karrierës sime. Por, nuk ishte edhe gabim, pasi kisha fituar një pjekuri, pasi me 13-vjeç u futa direkt në konkurrencën te pionierët. Përsëris pra, pasioni për futbollin lindi në rrugë me shokët e lagjes, në turnirët në shkolla që mbaheshin dhe më pas me shokët e lagjes vendosëm të regjistrohemi te KF ‘Ballkan’, pasi aso kohe më tepër shokë kisha të nacionalitetit maqedonas dhe ata më rekomanduan të regjistrohem te ky klub.
KOHA: Karrierën domethënë e fillove te KF “Ballkan”, por jo gjatë pasi u shpërngulët te KF Slloga Jugomagnat tani FC Shkupi. A ju kujtohet kjo periudhë?
FAKIÇ: Hapat e parë i fillova te KF ‘Ballkan’, i cili aso kohe ishte konkurrent shumë i madh në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë i KF Slloga Jugomagnat – tani FC Shkupi. Fillova shumë mirë, më kujtohet se pas një kampionati të cilin e zhvillova, isha golashënuesi më i mirë. Pas kësaj kryetari i atëhershëm i Sllogës (Shkupit) Rafet Muminoviq më kishte parë në një ndeshje të pionierëve pikërisht ndaj Sllogës ku unë shënova hat-trik. Pas kësaj babai im i ndjerë më tha se e ka kontaktuar kryetari Muminoviq dhe i ka thënë se djali yt duhet transferohet te Slloga (Shkupi) si dhe do t’ia plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme. Kjo edhe ndodhi unë kalova në radhët e Sllogës që për mu ishte një ndjenjë e mirë duke marr parasysh se klubi nga Çairi ishte një klub i madh. Pastaj vit pas viti unë luajta për kadetët, dhe pas paraqitjeve të mirë kalova tek juniorët, ndërkohë që me 16 vite e gjysmë debutova për ekipin e parë.
KOHA: Më pas gjatë karrierës tënde ke luajtur edhe për klubet vendore si Cementarnica, Bregallnica, Metalurgu dhe Shkëndija, si dhe ato ndërkombëtare OFK Beograd dhe FC Popa nga Finlanda. Derisa, ke qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë deri 21-vjeç.
FAKIÇ: Siç thash për Slloga J. debutova me 16 vite e gjysmë, ndërsa bashkë me mua ka qenë edhe Gashi Ramadani. Kjo ishte një mrekulli për mua duke e ditur Slloga kihte një bagazh të madh me tituj të fituar dhe një gjeneratë e artë e e udhëhequr nga Nexhmedin Memedi, Nebi Mustafi, Ollxhaj Bajram, Argjend Beqiri, Esad Çollakoviq, vëllezërit Beganoviq. Këtu u pa se kam talent dhe parashikimet ishin se duhet të jem një futbollist i cili mund të arrijë të bën një karrierë të mirë në futboll. Nga Slloga u largova për të luajtur gati dy sezone në Azi në disa ekipe, për tu rikthyer më pas te Slloga për të luajtur në ekipin e parë. Gjatë kësaj kohe isha edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë deri 21-vjeç duke bërë paraqitje të mira. Si rezultat i kësaj u transferova te skuadra e OFK Beograd, ku luajta për dy sezone, që më pas një edicion të shkurtër e kalova te skuadra ruse Rostov, ndërkohë që pas Rusisë u riktheva në Maqedoni, por te skuadra e Cementarnicës, e cila aso kohe ishte anëtare e elitës së futbollit vendor. Pas një sezoni të mirë të ky klub, u transferova në Finlandë te anëtari i divizionit të parë FC Popa që më pas përsëri u riktheva në Maqedoni, te Metalurgu . Këtu pësova një lëndim të rëndë që më detyroi të mendoj edhe ndërprerjen e karrierës i futbollist. Isha 25-26 vjeç, por pas një kohe vazhdova me stërvitje dhe klubi i fundit i cili shprehi interesim për mua ishte KF Shkëndija. Por, pasi kuptova se vërtetë nuk mundem të vazhdoj shkaku i lëndimit dhe përgatitjes jo të mirë fizike, vendosa të ndërpresë karrierën.
KOHA: Kur e përfundove karrierën si futbollist dhe a ishte vështirë të sjellësh një vendim të tillë?
FAKIÇ: Sigurisht se ka qenë rëndë që një futbollist pavarësisht se a është 26-vjeç apo 32-vjeç të largohet nga futbolli. Mirëpo, unë isha i detyruar sepse lëndimi im ishte në një formë pak si të them më të rëndë dhe trajtimi për rikuperim të cilin e kisha unë, duhej të pauzojë një vit. Kisha lënduar muskujt e barkut, dhe ndezja ishte në një fazë shumë e lartë ku duhej të pushojë një vit pa e prekur topin. Duke marr parasysh se karriera ime aso kohe nuk ishte në një drejtim të mirë dhe luaja për kushte shumë jo aq të mira në Maqedoni, vlerësova se më mirë është të merrem me diçka tjetër ose me futboll. Ky ishte momenti kur unë vendosa që me 26-vjeç si futbollisti i Metalurgut të ndërpresë karrierën si futbollist.
KOHA: U largove nga fushat e gjelbra, por jo edhe nga futbolli. Vendose të ushtroni detyrën e menaxherit/skautit. Si erdhi deri te kjo dhe se vendoset për këtë profesion?
FAKIÇ: Për fatin tim të mirë, në atë kohë më kontaktoi partneri im i sotëm Shkumbin Qormemeti, i cili jeton në Vjen, dhe më propozoi këtë rol, që unë të jem ndihmësi i tij, sepse ideja e tij ishte që të fillon këtë biznes por ishte në kërkim të një partneri, për ti ndihmuar, pasi edhe ai sapo kishte filluar me këtë biznes. Ne me Shkumbinin njihemi prej kohës kur unë isha kadetë te Slloga, ndërsa ai afrua nga Dibra për tu shkolluar në Shkup, pasi është nga Dibra dhe në të njëjtën kohë ai u afrua te Slloga. Aty lindi shoqëria jonë, edhe pse realisht më pas kontaktet mes nesh ishin të rralla. Kur e kuptoi ai se unë po e braktis futbollin, më dha një ide që të fillojmë këtë biznes. Pra, ai ishte personi i cili më zgjati dorën dhe më dha një mundësi që të jem partneri i tij. Ashtu filloi gjithçka, pra unë të jem përzgjedhësi i futbollistëve (skaut) kurse ai është menaxher. Kështu filloi gjithçka dhe akoma vazhdojmë të jemi bashkë në këtë profesion.
KOHA: Cilat vende përfshijnë fushë-veprimtarinë tuaj?
FAKIÇ: Skautingu im për agjencinë tonë ‘SSM Agency’ me qendër në Shkup, punon në shumë vende, Evropë dhe Botë. Them botë sepse ne funksionojmë edhe në shtetet si Rusi, Kazakistan, pastaj kemi lidhje të futemi edhe në tregun e Kinës. Gjithashtu kemi pasur edhe kontakte me SHBA për të qenë pjesë edhe të një transferimi në këtë shtet. Më tepër funksionojmë në Evropë në disa shtete si Zvicra, Belgjika, Austria, pastaj kemi futbollist edhe në shtetet ballkanike si Kroacia, Sllovenia, normalisht edhe Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Personalisht unë me skautingun jam i përfshirë më shumë në Ballkan, duke marr parasysh edhe funksionin tim që e kam te skuadra e Skënderbeut nga Shqipëria si drejtor sportiv, prandaj jam pak sa i limituar sepse duhet të jem afër klubit.
KOHA: Sa lojtarë keni arritur të transferoni deri më tani?
FAKIÇ: Nuk janë pak, por përafërsisht meqenëse duhet të them një numër, shkon diku mes 40 dhe 60 futbollistët. Nuk mundem të jap numër të saktë, pasi në këtë biznes ka një transferim të cilin e bën komplet ti prej fillimit deri në fund, por ka edhe transferime 50-50, ku një tjetër agjent ka në pronë lojtarin, kurse ne e kemi shitur atë. Nga lojtarët që i kemi transferua në klube të ndryshme do ti kisha veçuar, Bekim Balajn në Terek Grozni, njëjtë edhe Odise Roshin dhe Bernard Berishën, tre lojtar të agjencisë sonë, 50-50 jemi të përfshir në transferimin e Bastos nga Angola, i cili nga Rostov e kemi shitur te Lacio, Azdren Llulaku në Astana, Taulant Seferi në Jang Bojs, Dejan Sharac te Lacio dhe shumë të tjerë.
KOHA: Nga viti 2015 jeni drejtor sportiv i Skënderbeut ga Korça. A mund të na tregosh se si erdhi deri te kjo?
FAKIÇ: Kjo erdhi pasi një bashkëpunimi me Skënderbeun dhe presidentin Adrian Takaj. Para se të emërohem si drejtor sportiv, klubit Skënderbeu i ofruam disa lojtarë sepse e pamë se ky klub ka potencial për të arritur rezultate të larta. Ata aso kohe ishin katër vite kampion dhe pretendonin grupet e Liga Evropës dhe ky ishte objektivi kryesor i tyre. Duke parë punën tonë të cilin e bënim ne, Takaj më ofroi një bashkëpunim dhe rolin e drejtorit sportiv, pasi kishin nevojë për një menaxhment më të madh dhe më cilësor për të arritur këtë qëllim. Pra të vazhdohet me titujt dhe njëkohësisht të kualifikohemi në grupet e Liga Evropës. Për fatin tonë të përbashkët pasi unë u emërova si drejtor sportiv, ne u shpallëm kampion dhe u futëm në grupet e Liga Evropës dhe filloi gjithçka mbarë për neve dhe bashkëpunimi ynë u tregua si një marrëveshje shumë produktive dhe deri në ditën e sotme, ne po funksionojmë me sukses dhe menaxhimi im po sjell rezultate pozitive.
KOHA: Dhe për dy vite në Korçë, sa je i kënaqur me punën tuaj?
FAKIÇ: Normalisht se jam shumë i kënaqur, në rend të parë nga klubi ku jam unë, nga respekti të cilin e kam në Shqipëri, opinioni sportdashës dhe presidenti Takaj, pastaj jam i kënaqur me punën të cilin po e arrij ta bëj të klubi. Besoj se edhe në klub janë të kënaqur nga puna ime. Kemi një bashkëpunim shumë cilësor, bashkëpunim i cili u vërtetua si diçk që vlente. Në fakt kontrata ime përfundon këtë vit pas ndeshjeve evropiane dhe më pas do të ulemi për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit tonë te Skënderbeu. Duke e ditur se po rrjedhin gjërat, mendoj se jemi pranë vazhdimit të bashkëpunimit, një dëshirë e imja por edhe e drejtuesve të klubit.
KOHA: Nuk ka dyshim se në Shqipëri vlerësoheni për punën që po e bëni te Skënderbeu. Si qëndrojë punët në Maqedoni?
FAKIÇ: Të them të drejtën nuk e kam menduar këtë deri më tani sepse nuk e kam menduar se sa më respekton opinioni sportdashës në Maqedoni, pasi e di se sa më kanë respektuar para se të largohem nga atje. Nuk e kam e përjetuar një respekt të veçantë pa marr parasysh se kam luajtur në shumë klube dhe i njoh të gjithë që merren me futboll, por tani kanë ndryshuar gjërat dhe mendoj se opinioni e din se kemi bërë një punë të madhe në Shqipëri. Kam shumë miq në futboll dhe klube me të cilat bashkëpunojmë, sidomos me KF Rabotniçki dhe kryetarin e saj Dragan Popovski. Ne kemi futbollist shqiptar që luajnë atje dhe kjo ka sjell sukses pasi ata rregullisht shesin lojtar dhe luajnë në Evropë.
KOHA: Jeni i njohur shumë edhe në Kosovë. Cili është opinioni juaj për futbollin kosovar dhe a ka talent në këtë shtet?
FAKIÇ: Skuadra jonë Skënderbeu pothuajse gjysma është e përbërë me lojtar nga Kosova. Çdoherë kam thënë se Kosova ka shumë talent, ndoshta më shumë prej gjithë shteteve në Ballkan. Ne kemi bashkëpunuar me lojtar kosovar, ndërsa në këto momente kemi shumë lojtar të agjencisë tonë dhe një ditë edhe Kosovën si përfaqësuese e pret një e ardhme e mirë.
KOHA: Profesioni që e ushtron ka bërë që të njohësh shumë emra të njohur të futbollit. A mund të na tregosh disa nga emrat e njohur me të cilët keni bashkëpunim?
FAKIÇ: Me pjesën e shqiptarëve njihem me shumë emra të njohur si Besnik Hasi, Igli Taren, Lorik Canën pastaj edhe me drejtor të ndryshëm sportiv nga vene të ndryshme. Me Igli Taren është një histori tjetër. Ai është një person i cili na ka ndihmuar shumë në punën tonë dhe një drejtor sportiv shumë i suksesshëm në Serie A dhe te skuadra e Lacios. Ne jemi miq privat dhe na ka dhënë shumë këshilla në lidhje me profesionin tonë, një lidhje dhjetëvjeçare e cila sot e kësaj dite po zgjat.
KOHA: Duke marr parasysh se me përkatësi etnike je boshnjak, kemi pasur mundësi t’ju dëgjojmë dhe shohim nëpër emisione të ndryshme në Shqipëri dhe Maqedoni ku gjuhën shqipe e flisni shumë mirë?
FAKIÇ: Ju falënderit për këtë vlerësim. Për fatin tim të mirë unë jam lindur në një lagje ku shumica kanë qenë shqiptar dhe ku unë jam rritur me shqiptarë. Duke dëgjuar gjuhën në rend të parë, e kam njoftuar gjuhën nga afër, por nuk e kam folur, pasi për të kuptuar është diçka tjetër dhe të flasësh është diçka tjetër. Në fillim ta kuptoj dhe kjo ishte pjesa më e rëndësishme për të ardhur deri te momenti që unë ta filloj edhe ta mësoj. Pastaj mund të them se ‘fajtor’ për të mësuar gjuhën shqipe për 40 për qind kanë qenë dy bashkëlojtarët e mi te Popa në Finlandë, Nuri Mustafi dhe Bilall Velian. Atje ishim bashkë në një banesë dhe ata flisnin me mua shqip dhe me kalimin e kohës e mësova më shumë. Pas kthimit nga Finlanda kam përvetësuar gjuhën duke fol me shokët e mi sidomos me Shkumbinin dhe në fund pjesën më të mirë ku e përvetësova gjuhën shqipe është shkuarja ime te Skënderbeu.
KOHA: Kush është në jetën private Haris Fakiç?
FAKIÇ: Në jetën private jam një person shumë i thjeshtë dhe natyral dhe një shok shumë i madh. Jam i martuar dhe kam dy djem, njëri 5 vjeç dhe tjetri 2 vjeç. Falënderoj Zotin për këtë dhuratë, pasi kjo pjesë ma ka ndryshuar jetën.
Është e vërtetë se Nirnbergu ka qenë i interesuar për shërbimet e mia. Atë kohë menaxheri i cili e transferoi Nderim Nexhipin në Herta Berlin, Fali Ramadani ishte menaxheri i cili e bëri lëvizjen time nga Slloga te OFK Beograd. Para se të shkoj në OFK Beograd, ai më tha se Nirnbergu është i interesuar për mua. Në fakt para se të iki te klubi serb, unë e dija se do të shkoj te Nirnbergu, por në momentet e fundit menaxheri Ramadani më tha se do të bëjmë një lëvizje tjetër dhe se do të shkoj në një sezon të luaj në OFK Beograd dhe më pas për një çmim më të madh do të shkoj te Nirnbergu ose në ndonjë ekip tjetër në Bundesligë. Mirëpo, për fatin tim të keq kjo nuk u realizua. Ndoshta do të kishte qen më mirë të shkoja direkt në Gjermani , por kështu deshi fati dhe nuk doli ashtu siç e kishte paramenduar menaxheri Fali Ramadani.
Pas lëndimit tentova të rikthehem duke u transferuar te KF Shkëndija, por duke parë se nuk mundesha të luaj me këtë problematike dhe duke dashur që të jem korrekt me drejtuesit e klubit nga Tetova, u thash se nuk jam i përgatitur fizikisht edhe pse ajo nuk ishte evidente në pamje të jashtme, por unë e ndjeja se në vazhdimësi përsëri probleme të vjetra dhe kuptova se duhej të pushojë prapë. Kështu që vendosa të largohem nga Shkëndija pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare