Nata e sotme nuk do të harrohet lehtë nga Ansu Fati dhe Karles Perez. 17-vjeçari Fati hyri sot në histori me golin e tij ndaj Interit, pasi u bë lojtari më i ri që gjen rrjetën në Ligën e Kampioneve. Një rekord për t’u duartrokitur e që do të duhet kohë të thyhet. Por asgjë nuk mund të krahasohet me historinë e çuditshme të Karles Perez dhe minutës së 23 të ndeshjes ndaj Interit.
Perez pas natës së sotme është zyrtarisht një futbollist i ekipit të parë të Barcelonës pasi deri më sot figuronte i regjistruar me ekipin e dytë. Atij i duhej që të luante 7 ndeshje me këtë skuadër të paktën nga 45 minuta në këtë edicion për të hyrë në fuqi klauzola për rinovimin dhe kalimin te ekipi i parë, me rrogë e kushte të përmirësuara. Nëse nuk arrinte ta bënte një gjë të tillë, duheshin mbledhur minutat gjatë pjesës së parë të sezonit që të aktivizohej kjo klauzolë.
Atij i duheshin edhe 23 minuta në fushë sot, pasi në të 24-tën, do të ishte zyrtarisht një futbollist i ekipit të parë, meqë arrinte numrin e minutazhit që duhej. Ai e festoi këtë minutë vendimtare për karrierën e tij, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Handanoviç, për t’i dhënë avantazhin Barcelonës ndaj Interit, e në të 24-tën ishte duke festuar me shokët e skuadrës.
Një rastësi e çuditshme e unike për këtë futbollist, të cilën nuk do ta harrojë gjatë të gjithë karrierës së tij.