Shkup, 30 maj – Skuadra e Gostivarit edhe sezonin tjetër do të jetë pjesë e Ligës së dytë – Perëndim. Të përzgjedhurit e trajnerit Mensur Jakupi edhe pse ishin kundërshtar më i mirë, fati ua ktheu shpinën pas ekzekutimit të penalltive (5-4), ku më të suksesshëm dolën futbollistët e Borecit. Ndryshe, ndeshja gjatë 90-të minutave përfundoi baras 0-0. Kështu, gostivarasit humbën mundësinë që të luajnë në balotazhin e dytë dhe nëpërmjet Pobedës, të kërkojnë plasmanin në Ligën e parë. Pas kësaj kanë mbetur të zhgënjyer futbollistët, stafi teknik dhe tifozët, derisa këta të fundit megjithëse eliminimit, me duartrokitje kanë përshëndetur futbollistët pas ndeshjes.
Për gazetën KOHA, një ditë pas humbjes, ka folur trajneri Mensur Jakupi. “Ashtu siç kemi pritur edhe doli të jetë ndeshje e rëndë. Realisht kemi qenë më të mirë, por ekipit i mungoi guximi, ndërsa në fund vendosën penalltitë, ku ne nuk patëm fat dhe në fund dështuam për të kaluar sfidën e parë”, shprehet trajneri i skuadrës së Gostivarit.
Jakupi pranon se sezoni ka qenë shumë i vështirë ku ekipi është ballafaquar me shumë probleme të ndryshme, ndërsa nuk ka mundur të mos i anashkalon edhe referët. “Ky sezon ka qenë shumë i vështirë për ne për arsye se jemi ballafaquar me probleme financiare në fund të sezonit pranveror, ndërsa si rezultat i kësaj nga klubi u larguan shumë futbollist. Mirëpo, për fat të mirë arritëm të konsolidohemi dhe me disa përforcime dhe atyre që i kishim, të bëjmë një ekip, i cili do të synonte pozitën e parë. Një ndër faktorët që na pengoi në këtë synim ka qenë referimi skandaloz i cili na ka ndjekur në kampionat, megjithatë ne në fund arritëm të kapim balotazhin”, shtoi më tej Jakupi.
Pas humbjes nga Boreci, futbollistët janë lëshuar në pushim, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim pritet të realizohet një takim mes trajnerit Jakupi dhe kryesisë së klubit për të diskutuar të ardhmen e tij. “Lojtarët janë lëshuar në pushim të merituar pas një sezoni të gjatë dhe të vështirë që e kishin. Derisa në ditët në vazhdim do të shoh se a do të vazhdoj apo jo të jem trajner i KF Gostivari. Kjo varet nga udhëheqësit e klubit, ku më duhet të pranoj se edhe tek unë por edhe tek ata, ekziston dëshira që ky bashkëpunim të vazhdohet. Pastaj, nëse unë mbetem trajner i KF Gostivari, në ekip do të mbeten edhe shumica e futbollistëve pasi jam i kënaqur me paraqitjen e tyre. Mendoj se me dy apo tre përforcime eventuale, do të jemi edhe më të fortë”, përfundoi Mensur Jakupi, trajneri i KF Gostivari.