Se Parlamenti dhe jo Këshilli i Prokurorëve Publik e emëron kryeprokurorin e PSP-së, është deklaruar edhe VMRO. “Këshilli i prokurorëve publikë në procedurë për zgjedhje dhe emërim të Prokurorisë publike mund të veprojë vetëm rreth propozimit të Parlamentit, paraprakisht të vërtetuar nga Komisionit për zgjedhje dhe emërime, ndërsa është votuar me dy të tretën e shumicës së Badenterit”, thotë kryetari i Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime Ilija Dimovski
Omer XHAFERI
Shkup, 23 gusht – Pas arrestimit dhe caktimit të masës së paraburgimit për Katica Janevën, dilema të shumta janë ngjallur se kush do ta trashëgojë funksionin e shefit të Prokurorisë Speciale dhe kush është kompetenti për emërimin e kryeprokurorit të ri. Prokurori publik Lubomir Joveski dje tha se konform Ligjit me të cilin është themeluar PSP, ende ka mandat dhe nëse prokurori që e drejton këtë Prokurori pengohet, atëherë Këshilli i Prokurorëve Publik duhet ta konstatojë dhe menjëherë të caktojë u.d. prokuror që do të udhëheq. Megjithatë, i njëjti u kundërshtua pikërisht kryetari i Këshillit të prokurorëve publik, Kole Shterjov, sipas të cilit, nuk mund të emërohet u.d prokuror special pa i skaduar mandati Janevës dhe pa e konstatuar të njëjtën vet Parlamenti. “Vetëm në një rast Këshilli emëron ushtrues detyre. Atëherë kur një prokurori publik i ndërpritet mandati ose është i shkarkuar dhe Këshilli emëron ushtrues detyre nga radhët e prokurorisë. Nëse Janeva nuk është e shkarkuar dhe derisa nuk i ndërpritet mandati, nuk mund të emërojmë ushtrues detyre. Procedura për shkarkimin është paraparë me Ligjin e PSP-së ku thuhet se nëse propozojmë ne, duhet të përgatitim raport dhe ta dorëzojmë në Parlamenti, Komisionet ta shqyrtojnë dhe më pas Parlamenti të propozojë dhe ne të shkarkojmë”, ka shpjeguar Shterjov. Ligji për PSP-në në nenin 18 thotë se “prokurori publik mund të shkarkohet nga funksioni para skadimit të mandatit për shkak të kryerjes joligjore apo joprofesionale të funksionit. Nëse Këshilli i prokurorëve publik fillon procedurën e shkarkimit të prokurorit publik në afat të arsyeshëm, duhet të dorëzojë deri në Parlament raport për situatën faktike dhe bazat e shkarkimit”. Raporti, siç ka shpjeguar Shterjov, do të ishte i qasshëm për publikun përmes komisioneve në Parlament, vetëm nëse ndonjë prej komisioneve nuk e anulon ose e pengon publikimin e një pjese të raportit, nëse e gjen të nevojshme të mbrohen të drejtat e çdo personi në raport ose të pengohet ndikimi i palejuar në çfarëdo ndjekje penale. “Në bazë të raportit të dorëzuar, ndërsa me propozim të Komisionit parlamentar për çështje dhe emërime dhe pas ujdisë paraprake të katër partive politike me më shumë deputetë, Këshilli me propozim të Parlamentit e shkarkon prokurorin publik. Parlamenti e vërteton propozimin për shkarkim të prokurorit publik deri te Këshilli i prokurorëve publik me dy të tretat e shumicës, përfshirë edhe shumicë të votave të deputetëve që i përkasin bashkësive që nuk janë shumicë”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik. Konform nenit 19 të këtij Ligji, vazhdon më tej Shterjov, prokurori i shkarkuar publik i cili udhëheq me Prokurorinë publike mund të dorëzojë ankesë deri te Gjykata Themelore Shkupi 2- Shkup për shqyrtimin e vendimit për shkarkim. Me vendim të gjyqit, prokurori publik mund të kthehet në punë ose të merr lloj tjetër të kompensimit. Se Parlamenti dhe jo Këshilli i Prokurorëve Publik e emëron kryeprokurorin e PSP-së, është deklaruar edhe VMRO. “Këshilli i prokurorëve publikë në procedurë për zgjedhje dhe emërim të Prokurorisë publike mund të veprojë vetëm rreth propozimit të Parlamentit, paraprakisht të vërtetuar nga Komisionit për zgjedhje dhe emërime, ndërsa është votuar me dy të tretën e shumicës së Badenterit”, thotë kryetari i Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime Ilija Dimovski. Dimovski, është decid se vetëm Parlamenti është kompetent për zgjedhjen e zëvendësuesit të Katica Janevës, e cila ditë më parë u paraburgos për 30 ditë. Ai shtoi se edhe zgjedhja edhe shkarkimi në PSP është e rregulluar me ligj dhe nuk mund të bëhet me ndonjë ligj tjetër. “Procedura është e rreptë, pasi edhe institucioni është i rëndësishëm. Në të dy procedurat (emërim dhe shkarkim) Parlamenti dhe Komisioni për zgjedhje dhe emërime nuk mund të anashkalohen, gjegjësisht as të shkarkojë në PSP, e as të emërojë ushtrues të detyrës”, thotë Dimovski, ndërsa këmbëngulë se vendimin përfundimtar për emërime dhe shkarkime në PSP e ka Parlamenti dhe sipas tij, çdo gjë jashtë tij është joligjore.