Urim HASIPI
Tetovë, 14 prill – Krahas kryetarëve të komunave po ashtu edhe këshillat komunale janë në dilemë se si do të funksionojnë pas 14 majit, datë kjo kur përfundimisht u përfundon mandati të zgjedhurve të pushtetit lokal. Funksionimi edhe i kryetarit të komunës, por edhe të këshillit të komunës është i njëjti thonë nga Këshilli i Komunës së Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Hisen Xhemaili, kryetar i këtij Këshilli, thotë se ende nuk ka ndonjë informatë se si do të veprohet pas 14 majit. “Ende jemi në pritje të ndonjë qëndrimi politik lidhur me këtë problematikë, por edhe të ndonjë vendimi nga ana e qeverisë. Ne kemi të njëjtin mandate si kryetarët e komunave dhe nuk ka ndonjë dallim në këtë drejtim. Kur përfundon mandati i kryetarëve të komunave po ashtu përfundon edhe mandati i këshillit komunal”, deklaron për KOHA, Xhemaili.
Ndërkohë që pritet për këtë ngërç sa i përket funksionimit të pushtetit lokal, më 28 prill të mbajë mbledhje bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale. ”Presim që në fund të këtij muaji të mbahet një kuvend pune i Bashkësisë së Njësive të vetëqeverisjes Lokale, ku edhe është formuar grup pune për të gjetur një zgjidhje, sepse pas 14 majit pushteti lokal nuk do të ketë asnjë kompetencë por nuk do të ketë asnjë kuptim që të vazhdohet”, deklaroi Xhemaili.
Ditë më parë nënkryetari i BDI-së dhe kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, tha se aktualisht vetëm qeveria është duke funksionuar dhe qeveria duhet të sjellë vendim se si duhet të veprojnë kryetarët e komunave pas 14 majit. “Përndryshe organi kryesorë është Kuvendi i Maqedonisë, nëse do të fillonte të funksiononte dhe do të zgjidhej kryetari menjëherë do të zgjidhej edhe qeveria që të mundej më pas kryetari i kuvendit të shpallë zgjedhjet”, tha Bejta.
Sipas kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta,është analizuar Kodi Zgjedhor dhe sipas këtij kodi, mandati i kryetarëve të komunave zgjat katër vjet dhe gjithashtu është analizuar edhe ligji për vetëqeverisje lokale ku parashihet që të ushtrojmë detyrën të ushtrojmë deri më 14 maj. Të njëjtin qëndrim e ka edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila nënvizoi se për këtë duhet të vendoset në nivel të pushteti qendror. Deri më tash ende nuk ka ndonjë qëndrim të prerë në këtë drejtim se si do të jetë fati i funksionimit të pushteteve lokale në nivel të shtetit, përderisa kryetarët e komunave të Pollogut, ditëve të fundit kanë shtuar aktivitetet e tyre në terren në fund të mandatit sidomos ata kryetarë që kanë apetite që edhe një herë të kandidohen për kryetarë të komunave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara