Në Kuvend nuk u mbajt seanca e Komisionit për politikë të jashtme e cila ishte thirrur për orën 14:00. Jo zyrtarisht mësohet se shumica dhe opozita janë pajtuar se edhe në rast të miratimit të ndryshimeve ligjore në komision, Kuvendi nuk posedon kohën e duhur për votimin e ligjit.
Burime nga grupet parlamentare bëjnë të ditur se pas miratimit të ligjit në Komisionin amë, ambasadorët e propozuar do të duhej që në mbledhjen e ardhshme të shpalosnin programin dhe prioritetet e tyre, gjë që e pamundëson shpërndarja e Kuvendit e cila duhet të votohet të dielën.
Mësohet se propozimet për ambasador nuk kanë marr akoma as “agremanet”, për të mundur të emërohen edhe zyrtarisht udhëheqës të ambasadave të Maqedonisë së Veriut. Për këtë arsye, pushteti dhe opozita në parim janë pajtuar që fati i ambasadorëve të rinj të mbetet çështje e përbërjes së ardhshme parlamentare.