Diplomatët e huaj nesër do të shënojnë në notesët e tyre se Maqedonia ka konsensus të brendshëm për shumë çështje dhe se atje nuk ka më çështje të hapura. Me rëndësi është të shpëtojë procesi, sepse në mullirin e madh të proceseve gjithmonë janë bluar fatet e “vogla” të popujve
Nga Emin AZEMI
Beteja politike për Maqedoninë e Veriut është riaktivizuar në Parlament. Hapja e debateve për amendamentet shtesë të Kushtetutës, si parakusht i legjitimimit të Marrëveshjes së Prespës, po ndodhë në kohën kur partia e Zaevit po zhvillon komunikim intensiv dhe “nga afër” me deputetët e përjashtuar të VMRO-së që këta të fundit të jenë pjesë e ndryshimeve të reja dhe t’i japin Maqedonisë një dinamikë të re politike. Sikundër mund të shihet pra, ka një intensitet të shtuar në komunikimin brendamaqedonas, ndërkohë që komunikimi brendashqiptar është reduktuar në suaza të përshëndetjeve të domosdoshme korridoreve të Parlamentit.
Dilema nëse duhet apo jo të ofrohen amendamente shtesë nga pala shqiptare në diskutimet e tanishme për ndryshimet kushtetuese, nuk duhet të jetë ndonjë pengesë që subjektet shqiptare të rishikojnë, megjithatë, raportet në mes veti, sepse interesat publike dhe afatgjate janë më të gjëra dhe më substanciale se pragmatizmi koniuktural i cilës do parti qoftë. Në emër të pragmatizmit nuk do të duhej të pësojë mirëkuptimi i brendshëm.
Debati shqiptar aktualisht zhvillohet në dy plane: është ky gjoja debati që zhvillohet nëpër studio televizive në mes të ashtuquajturve analistë që s’thonë asgjë dhe debati shumë aktiv, por jo publik, i njerëzve që pyesin njeri-tjetrin dhe në fund ngelin pa përgjigjet e duhura. Ata pyesin se si do të duket Kushtetuta pas një kohe të caktuar dhe cili do të jetë konteksti juridik e politik i shqiptarëve në atë dokument. Njerëzit pyesin për përgjegjësinë e politikanëve të sotëm, të cilët nesër mund të mos jenë në pushtet, por që pasojat e veprimeve të tyre mund të kenë trajektore afatgjate veprimi. Njerëzit pyesin se a do të ketë status shteformues për shqiptarët, apo ata do të trajtohen ende numra dhe kujt i kovenon ky trajtim amorf i shqiptarëve, kur dihet kontributi i tyre në këto procese shumë të rëndësishme, pa të cilët fundja nuk do të mund të ndodhte kurrfarë ndryshimi pozitiv.
Një vëzhgues i vëmendshëm do të vërejë një rigrupim të ri të faktorëve të ndryshëm politik maqedonas dhe një heshtje të “palexueshme” të shqiptarëve. Spostimi i gurit të peshores nga tetë deputetët e përjashtuar të VMRO-së, do të ketë edhe më tej efekte në skenën politike të vendit dhe askush nga faktorët politikë shqiptarë nuk është kah e “vokë ujin” për ndonjë perspektivë të caktuar zhvillimi kur shqiptarët nuk do të jenë më të rëndësishëm si subjekte por si individë. Nuk do të jetë shumë larg (nëse vazhdon kjo heshtje e ‘pa lexuar’) dita kur pazaret politike të Zaevit me shqiptarët do të zhvillohen në një stil të ri, sepse ai edhe komunikimin me Prishtinën dhe Tiranën, po e bën me stil të ri, pa patur nevojën të ketë ndërmjetës ndonjë politikan shqiptar nga Shkupi a Tetova. Zaevi është parë në ndeja familjare me kryeministrin Haradinaj në shtëpinë e këtij të fundit në Prishtinë dhe ky është një kualitet i ri në politikbërjen publiko-private rajonale ku në menytë e drekës politika ka shijen e biznesit. Kjo kulinari e kombinuar me gusto Dukagjini dhe ajvar Strumice, mundet një ditë të gatuhet edhe në sofrën e këtushme politike, kur nga mëngët e Zaevit mund të del ndonjë liderth shqiptar, i cili pastaj do ti “përfaqësonte” gjithë shqiptarët, paçka se shqiptarët mund të mos kenë ndier kurrë për liderin e “tyre”. Mjafton vullneti i kryeministrit për të dizajnuar një shoqëri të përbashkët, ku përkatësia etnike do të konsiderohej pengesë e integrimeve të brendshme sepse ashtu po e kërkokan integrimet e jashtme.
Diplomatët e huaj nesër do të shënojnë në notesët e tyre se Maqedonia ka konsensus të brendshëm për shumë çështje dhe se atje nuk ka më çështje të hapura. Me rëndësi është të shpëtojë procesi, sepse në mullirin e madh të proceseve gjithmonë janë bluar fatet e “vogla” të popujve. (koha.mk)