Jurgen Klopp pritet të bëjë ndryshime në formacionin e Liverpoolit për ndeshjen e sotme kundër Watfordit në Premierligë, me kosovarin Xherdan Shaqiri që pritet të luajë titullar. Kjo do të jetë një javë e madhe për Liverpoolin në përpjekje për ta fituar titullin në Premierligë, dhe pas ndeshjes dëshpëruese kundër Manchester Unitedit, trajneri gjerman pritet të ndryshojë formacionin, sipas mediave britanike.
Në një konferencë për media, Klopp zbuloi se Firmino do ta ketë shumë të vështirë të riaftësohet në kohë nga lëndimi. “Nuk e di saktësisht, është Bobby, prandaj ai do të kthehet më shpejt se të tjerët por së pari duhet ta dimë se çfarë dëmtimi ka saktësisht dhe tani nuk e di”, tha Klopp.
Sipas mediave në ishull, trajneri gjerman mund ta vendosë Sadio Manen apo Mohamed Salahun në qendër të sulmit dhe Xherdan Shaqirin në krah.
Kosovari i Kombëtares së Zvicrës i ka bërë 21 paraqitje për të kuqtë deri tani këtë sezon në Premierligë, 11 prej të cilave si titullar, duke shënuar gjashtë gola dhe duke bërë një asist.