Një ekip i gazetës KOHA e ka vizituar Teatrin Popullor dhe prej andej solli fotografi ku nuk vërehet kurrfarë vandalizmi. Madje njëri prej anëtarëve të këtij ekipi ka qenë edhe pjesëmarrës në mbrëmjen e 22 nëntorit, teksa është kremtuar 30 vjetori i tifozerisë shqiptare të Shkupit. Sipas tij ajo mbrëmje ka kaluar në atmosferë festive, ku është brohoritur dhe janë kënduar këngë që lidhen me krenarinë e këtij grupi tifozësh
Nga Emin AZEMI
Në Teatrin Popullor të Maqedonisë së Veriut më 22 nëntor nuk ndodhi kurrfarë sjellje e pahijshme e tifozëve shqiptarë nga Shkupi, por ndodhi inskenimi i një histerie antishqiptare nga drejtuesit e këtij Teatri dhe nga një pjesë e mediave maqedonase, që burimin e ka tek mosdurimi i çfarëdo lloj krenarie të shfaqur publike të shqiptarëve.
Tifozët atë mbrëmje nuk kishin shkuar për ta shkatërruar enterierin e Teatrit, siç gënjehet nëpër media dhe portale, por kishin shkruar ta kremtojnë 30 vjetorin e themelimit të grupit të tyre. Këtë e vërteton edhe njëri prej themeluesve të grupit të tifozëve dhe deputeti Artan Grubi, sipas të cilit, “e vërteta është se ne si grup i organizuar u drejtuam dhe hymë në objektin në të cilin ishte caktuar shënimi i jubileut, me ç’rast u prezantua një film i shkurt dokumentar për grupin tonë të tifozerisë. Tifozërija është jeta jonë, nuk ka mënyrë tjetër të tifozërisë veçse këndimi i këngëve dhe brohoritjes, dhe në këtë e bëmë atë natë dhe asgjë tjetër, pa asnjë vandalizëm, thyerje, ndonjë fjalë ofenduese e jo më fjalë të urrejtjes“.
Një ekip i gazetës KOHA e ka vizituar Teatrin Popullor dhe prej andej solli fotografi ku nuk vërehet kurrfarë vandalizmi. Madje njëri prej anëtarëve të këtij ekipi ka qenë edhe pjesëmarrës në mbrëmjen e 22 nëntorit, teksa është kremtuar 30 vjetori i tifozerisë shqiptare të Shkupit. Sipas tij ajo mbrëmje ka kaluar në atmosferë festive, ku është brohoritur dhe janë kënduar këngë që lidhen me krenarinë e këtij grupi tifozësh.
Pjesa më skandaloze e kësaj historie të shpifur, është sjellja joprofesionale e mediave maqedonase ndaj kësaj ngjarjeje. Shumica prej tyre vazhdojnë ta injorojnë gjuhën shqipe dhe për rrjedhojë raportuesit maqedonas nga mosnjohja e kësaj gjuhe mundohen të devijojnë thelbin e ngjarjeve. Kështu ndodhi edhe me këngën e “Shvercerave”, kushtuar 30 vjetori të grupit, e cila kishte një refren me këtë përmbajtje: “Qe 30 vjet, Tu shku në çdo vend e qytet, Historia jemi ne,Tu dhanë shkollë e mentalitet”.
Por, ky refren ka mjaftuar të futet në kontekst të gabueshëm nga ana e mediave maqedonase, duke imputuar porosi të paqena që i atribuohen gjoja maqedonasve si popull. ‘Historia jemi ne’ nuk ka kurrfarë lidhje me historinë e popullit shqiptar dhe edhe më pak me mohimin e historisë së popullit maqedonas.
Mirëpo dikush me çdo kusht historinë dëshiron ta shndërroj në histeri, për të kënaqur do ambicie të sëmura, që si zgjatime karikaturale nxjerrin krye nëpër segmente të caktuara të shoqërisë maqedonase. (koha.mk)